Vendosni fjalën kyçe....

Meta mesazh klasës politike në urimin për Kurban Bajramin: Dialog gjithëpërfshirës


Presidenti i Republikës Ilir Meta, në urimin e tij për besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit, ka një mesazh dhe për klasën politike në vend.

Meta thotë se shpreson që kjo ditë feste, të shërbejë për dialog gjithëpërfshirës dhe për bashkëpunim.

Presidenti uron që kjo ditë të shërbejë për të shëruar plagët e thella të shoqërisë si korrupsioni, varfëria, arroganca dhe polarizimi i skajshëm.

 “Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!

Gëzuar Festën e Kurban Bajramit! Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!

Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Evropa!

Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje.

Të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t’ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen! Nga mot Gëzuar Kurban Bajramin!”, shkruan Meta.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *