Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit çajnë kordonin e policisë dhe hyjnë në teatër, shikoni si është katandisur pasuria kombëtare (FOTO)


Protestuesit çajnë kordonin e policisë dhe hyjnë në teatër. Këto janë fotot ku ju mund të shikoni se si është katandisur pasuria kombëtare.

Një numër i madh policësh ka rrethuar mëngjesin e sotëm godinën e Teatrit Kombëtar, e cila është  vendosur nga qeveria dhe bashkia që të prishet.

Ndërsa ka filluar prej disa ditësh largimi i objekteve brenda tij si duket ditën e sotme do jetë një aksion i plotë për zbrazjen nga të gjitha materialet e brendshme.

Ndërkohë policia ka gjetur kundërshtimin edhe sot të artistëve ku ka pasur edhe përplasje fizike me regjisorin Edmond Budina.

“Kriminelët më morën zvarrë, si të isha një leckë, kjo është një gjë e ndyrë. Ne po mbrojmë kulturën dhe qytetarinë shqiptare, të vijë një polici që s’ka pikën e dinjitetit, nuk e di se çfarë mund të themi.

Sa të jetë jeta nuk do ta harroj, Edi Rama mbaje mend këtë që më ke bërë, ti dhe këlyshët e tu, asnjëherë nuk të kam sulmuar direkt, po këtë që ndodhi sot nuk mund ta fal.

Nuk e kam bërë as regjisorin dhe as aktorin, i mbështetur te politika, e kemi bërë gjithçka me djersë dhe me gjak”, u shpreh Budina për Fax News.

Në mbështetje të qytetarëve dhe artistëve kanë shkuar edhe kryedemokrati Lulzim Basha dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike, si Albana Vokshi, Agron Shehaj.

Brenda Teatrit Kombëtar është futur edhe Lulzim Basha.

Menjëherë, teksa policia ka rrethuar godinën e Teatrit Kombëtar duke ndeshur në përplasje me protestuesit, presidenti Ilir Meta ka komentuar duke e quajtur një ngjarje të shëmtuar dhe të turpshme.

“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.”, reagoi presidenti Meta.

Presidenti Meta i ka bllokuar kryeministrit Rama ligjin për dhënien e Teatrit Kombëtar me koncesion kompanisë “Fusha sh.p.k”.