Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti nga Populli – Çfarë fshihet pas ndryshimeve kushtetuese që kërkon Meta


Një zhvillim i rëndësishëm politik ndodhi ditën e djeshme pas një periudhe të gjatë heshtjeje. I papritur qe propozimi i presidentit të vendit për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, shoqëruar me një heshtje të gjatë nga kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Por dje, Basha vendosi të përparonte në lëvizjen e tij politike, duke u takuar për rreth 40 minuta me Metën (Rama kishte nisur me kohë luftën për të shkarkuar Metën).

Ndërsa e gjithë vëmendja gjatë këtyre ditëve është fokusuar te kombinimi i dy zgjedhjeve sëbashku, ato vendore me ato të përgjithshme më 13 tetor (në kohën kur Rama i ka mbyllur votimet e tij duke fituar bindshëm), zgjedhja e presidentit ka mbetur e pasqaruar mirë, përveç faktit që Meta ka qenë i gatshëm të dorëhiqej në çdo kohë.

Pikërisht nga dje dhe sot është kristalizuar më mirë se çfarë ka patur ndërmend Meta kur e ka thënë një gjë të tillë dhe ku bazohet propozimi i tij.

Si mendon Meta që të zgjidhet presidenti i ardhshëm i vendit? Kjo është pyetja, përgjigja e së cilës ka nisur të jepet gradualisht, duke nisur nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Në një rrëfim të djeshëm pas takimin me Metën, Basha tha:

“Padyshim që lidhet me 13 tetorin. Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe siç është shprehur politikisht edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale që nënkupton ndryshime kushtetuese.”

Pra, kryedemokrati foli për ndryshime kushtetuese. Por për çfarë ndryshimesh e ka patur ai fjalën?

Një ditë më pas është vetë presidenti i vendit Ilir Meta që shpjegon se si mendon se do jetë rruga më e mirë për t’u zgjedhur presidenti i vendit. Ai propozon as më shumë dhe as më pak se zgjedhjen e presidentit nga populli.

Argumenton Meta:

“Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.”

Pra, më 13 tetor Meta propozon që shqiptarët t’u drejtohen zgjedhjeve me 3 qëllime: për të zgjedhur kryebashkiakët, deputetët dhe presidentin e vendit.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton se presidenti si kryetar i shtetit zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë. Në nenin 87 saktësohet se emri i tij propozohet nga një grup jo më pak se 20 deputetësh.

 

Sipas propozimit të Metës, nëse palët do të bien dakord, zgjedhja e presidentit nga populli do të kërkojë ndryshime të rëndësishme në Kushtetutë, gjë që do të angazhojë të gjithë përfaqësuesit politikë në kuvend.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama po vazhdon luftën e tij për ta shkarkuar Ilir Metën nga pozicioni që mban, edhe pse ligjërisht e ka të pamundur për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *