Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje mes dy grupeve në Kavajë, vritet kalimtari, 4 të plagosur (Video)


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Kavajës. Mësohet se në lagjen Nr.4, ka ndodhur një përplasje me armë mes dy grupeve, ku fatkeqësisht plumbat kanë kapur një kalimtar që nuk kishte lidhje me konfliktin.

Viktima besohet të jetë rreth moshës 50-vjeçare dhe është identifikuar si Ramazan Hasalliu, i cili mendohet se ka qenë duke blerë bukë në momentin kur është kapur nga plumbat.

Një nga 4 personat e arrestuar , i cili dyshohet se ka qëlluar me armë është 22-vjeçari Eraldo Hyka, ndërsa mendohet se në këtë ngjarje është përfshirë edhe i vëllai, Elio Hyka.

Të plagosur nga përplasja me armë kanë mbetur disa persona, 3 prej të cilëve janë identifikuar si Sali Mekja, Rrustem Dedja, Arben Hajdini.

Policia ndërkohë ka arrestuar 4 persona të dyshuar për ngjarjen, 2 prej të cilëve kanë qenë duke lëvizur në një makinë.

Për ngjarjen e rëndë në Kavajë ka reaguar menjëherë edhe presidenti Ilir Meta, duke shprehur shqetësimin e thellë.

Njoftimi i policisë

‘Sot rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi R. H., (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit M. A dhe D. A.

Shtetasi M. A (autori i dyshuar), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur.

Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, shtetasit D. A. dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar.

Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë.Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.’

Pjesë nga deklarata e Presidencës:

Presidenti Meta pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z.Isa Sakja dhe i kërkoi t’i përcjellë ngushëllimet dhe solidaritetin e Tij më të sinqertë të afërmve dhe familjarëve të qytetarit që humbi jetën, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.

Presidenti Meta kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë, zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të saj, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e rritjes së gatishmërisë së Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese, për të marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *