Vendosni fjalën kyçe....

Pas Moses-Ones, edhe Luigi Soreca i shkon Bashës në zyrë


Pas takimit me diplomaten amerikane Leyla Moses-Ones, kreu i opozitës Lulzim Basha ka pritur në zyrë edhe ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

Pas takimit me Moses-Ones, Basha tha se nuk preferonte të zbulonte se çfarë kishte diskutuar me diplomatët e huaj.

Takimet me ndërkombëtarët vijnë vetëm 5 ditë para zgjedhjeve, të cilat maxhoranca duket e vendosur t’i mbajë, pavarësisht mospjesëmarrjes së opozitës në garë.

Pas takimit me Moses-Ones, Basha tha se as nuk do i lejojë dhe as nuk do i njohë zgjedhjet e 30 qershorit.

“Cilat zgjedhje?! Po s’ka zgjedhje më 30 qershor. Shumë pak njerëz nuk e kanë kuptuar këtë. E para e punës nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut. Një sekondë. S’ka rëndësi se çfarë mendon kryeministri. Rëndësi ka që ka një standart europian, që proces zgjedhor pa opozitën nuk është proces zgjedhor.

Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë. Nuk do lejohen, nuk do pranohen e nuk do të njihen.

E dyta, sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Dekreti i presidentit të Republikës qartësisht ka ç’dekretuar datën 30 si datë zgjedhjesh.

Që do të thotë se çdo hap i Edi Ramës, fushatë, takime elektorale janë të paligjshme.

30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, është data kur Edi Rama do përpiqet t’i kthejë shqiptarët në zgjedhje monopartiake.”, tha Basha.

Kryedemokrati u pyet nga gazetarët nëse është e vërtetë që ka kërkuar nga të zgjedhurit e opozitës në pushtetin lokal që të krijojnë incidente në 30 qershor. Por ai tha se ky ishte vetëm një mashtrim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *