Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmërojnë skocezët: Nëse Johnson zgjidhet kryeministër, do jetë katastrofë për Britaninë


Zyrtarët e lartë të Partisë Konservatore, me prejardhje nga Skocia, kanë thënë që frikësohen se zgjedhja e Johnson si kryeministër do të ishte një “katastrofë” për Britaninë e Madhe, për shkak se do ta shpejtonte fushatën për pavarësinë e Skocisë.

Zyrtarët konservativë besojnë se qëndrimi i Johnson ndaj Brexit, do të bënte që menjëherë të shtohen zërat që kërkojnë një referendum të ri – një ide e cila përkrahet edhe nga kryetarja e Skocisë, Nicola Sturgeon. Johnson si kryeministër do të ishte “shkatërruese” për partinë dhe do të krijojë rast për pavarësi të pjesës veriore.

Konservatorët Skocezë i frikësohen zgjedhjes së Johnsonit, për shkak se ai nuk gëzon popullaritet tek skocezët, por ka një popullaritet të madh tek aktivistët anglezë, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Ndërsa këtë të diele, Sturgeon tha që Johnson shikohet si njeriu që është përgjegjës për “tollovinë” e Brexit dhe se populli skocez votoi me 62% që Britania e Madhe të qëndrojë në Bashkimin Evropian. Ajo tha për Sky News, tha se një referendum i ri për pavarësinë e Skocisë do ta merrte një përgjigje pozitive.

“Ai shihet në Skoci, si politikani i cili është përgjegjës për tollovinë në të cilën jemi për shkak të Brexit, njeriu i cili e drejtoi gabimisht popullin për një referendum për BE-në dhe njeriu i cili tani është i gatshëm ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja pa asnjë marrëveshje. Kjo për Skocinë është një perspektivë e tmerrshme” tha ajo.

Në një sondazh të realizuar nga Sunday Times, del se skocezët do të preferonin të dilnin nga Britania e Madhe nëse Johnson zgjedhet kryeministër. 53% u përgjigjën se dëshirojnë dalje nga Britania nëse ndodh ky skenar.