Vendosni fjalën kyçe....

Basha nuk shkoi në Prokurori, PD: Elisabeta Imeraj ka urdhëruar shoqërimin me forcë


Pasi kryetari i PD-së Lulzim Basha, nuk u paraqit sot në Prokurori me arsyetimin se kërkesa e Prokurorisë nuk ishte plotësuar sipas ligjit, shefja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj kërkon shoqërimin me forcë të kryedemokratit.

Të paktën kështu ka deklaruar selia blu përmes një njoftimi për mediat, ku akuzon Imerajn se po ushtron presion ndaj prokurorëve të çështjes, që të shoqërojnë me forcë Bashën.

“Me urdhër direkt të Edi Ramës, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj në dhunim flagrant të ligjit po ushtron presion të paligjshëm ndaj prokurorëve të cështjes për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e kryetarit të opozitës, ndonëse kryetari i opozitës ka konfirmuar vullnetin për tu paraqitur në prokurori sapo kjo e fundit të zbatojë ligjin për thirrjen e tij.

Ky presion kriminal përmes urdhrave të paligjshëm të prokurores së kapur Elisabeta Imeraj po ushtrohet me urdhër direkt të Edi Ramës me qëllim për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane BILD.

Partia Demokratike paralajmëron prokuroren Imeraj dhe shefin e saj Edi Rama se ky skenar kriminal do të dështojë dhe ata do të jenë përgjegjës direkt për këtë veprim kriminal të paprecedentë të shkeljes së ligjit dhe provokimit ndaj opozitës.

Kamikazaja Imeraj nuk do ta shpëtojë dot Edi Ramën. Asgjë nuk e shpëton dot Edi Ramën. As drejtësia e kapur prej tij.”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në prokurori sot në orën 9.30. Kështu nuk u paraqitën.

Në një letër drejtuar prokurorisë së Tiranës, kryedemokrati shprehu gatishmërinë për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo “të zbatojë me përpikmëri ligjin”.

Sipas kryedemokratit, në njoftimin e prokurorisë së datës 12 Qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve që kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë arsye, Basha i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *