Vendosni fjalën kyçe....

Nënë e bijë gjenden të pajeta në banesë në Korçë


Dy gra janë gjetur të vdekura në banesën e tyre në qytetin e Korçës. Viktima janë Eleni dhe Ornela Vangjeli, 74 dhe 54 vjeç.

Ndërsa ende nuk dihen zyrtarisht shkaqet e vdekjes, policia thotë se paraprakisht dyshohen të kenë humbur jetën për shkaqe natyrale.

Mësohet se nënë e bijë jetonin bashkë në këtë banesë, e moshuara ishte e paralizuar dhe nuk mund të lëvizte. Për nënën kujdesej vajza e saj.

Sipas policisë dyshohet se vajza e saj mund të ketë pësuar arrest kardiak dhe gjatë kësaj kohe e moshuara nuk ka pasur mundësi reagimi. Nga grupi hetimor bëhet e ditur se banesa ishte plotësisht e mbyllur nga brenda.

Njoftimi:

Më datë 01.02.2024, rreth orës 16:42, në lagjen nr. 17, Korçë, në banesë, janë gjetur pa jetë, pa shenja dhune shtetaset E. V., 75 vjeçe dhe vajza e saj O. V., 54 vjeçe. Nga të dhënat e para, rezulton se këto shtetase nuk ju ishin përgjigjur në telefon familjarëve të tyre, prej disa ditësh.

Dera e banesës së tyre është hapur nga shërbimet e zjarrfikësve, pasi ishte e kyçur nga brenda. Paraprakisht dyshohet se këto dy shtetase mund të kenë humbur jetë për shkaqe natyrale.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të humbjes së jetës së këtyre shtetaseve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.