Vendosni fjalën kyçe....

Situata emergjente në Korçë, banorët në panik dhe kushte të vështira


Banorët në Korçë e kanë kaluar natën e dytë jashtë në çadrat e ngritura nga Forcat e Armatosura dhe emergjencat Civile. Madje një pjesë e tyre nëpër makina.

Situata duket të jetë alarmante, me banorët që gjenden në panik dhe kërkojnë shpalljen e gjendjes së Emergjencës. Banorët ankohen për mungesën e ushqimeve dhe kushtet e vështira. 

“Këta sa vjen njëri, ikën tjetri dhe kot, por Zoti…Kemi ftohtë dhe nuk mund të qëndrojmë më në çadra. Ushqimi nuk ka ardhur. Ka mungesë të ushqimeve dhe krevatëve”, janë shprehur disa nga banorët.

Mëngjesin e sotëm ka patur përplasje mes banorëve dhe punonjësve të emergjencave Civile. Prefekti i Korçës ka qenë i pranishëm në momentin e sherrit dhe madje ka debatuar me banorët dhe gazetarët.

“Mos qëndroni këtu. Duhet të merrni leje”, i është drejtuar gazetarëve prefekti Dhori Spirollari.

Lëkundjet sizmike nuk kanë pushuar as sot përgjatë gjithë ditës.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) vetëm sot (datë 3 qershor) ka patur 7 tërmete edhe pse ende jemi në mesditë.

Më i forti ka qenë ai i orës 05:49, me magnitudë 3.9. Distanca mes tërmeteve ka qenë mesatarisht rreth 1 orë.

Rreth 200 banorë të fshatrave Floq, Qafë Zezë dhe Vidovë në Korçë që janë prekur nga tërmetet gjatë këtyre tre ditëve kanë mbetur pa banesa. Ata e kanë kaluar natën në shi, në çadrat e ushtrisë.

Deri më tani, sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Mbrojtjes rreth 180 banesa janë dëmtuar nga tërmetet e së shtunës dhe të djelës.

“Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara.

230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura nga EC dhe FA: 160 në Floq, 40 në Vidovë dhe 30 në Qafzës. Në Floq funksionon shërbimi shëndetësor 24 orë. 

Gjithashtu banorët janë furnizuar me ushqime dhe ujë, janë siguruar zonat e prekura me forca policore dhe deri më tani raportohet për 8 kabina elektrike të dëmtuara nga tërmetet, 7 prej të cilave të riparuara.”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Të shtunën u raportua dhe për katër të plagosur nga fshati Flloq, të cilët fatmirësisht nuk janë në rrezik për jetën.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ditën e djeshme ka patur mbi 10 tërmete në zonën e Korçës dhe 10 të tjera janë shënuar të shtunën më 1 qershor.

Lëkundjet më të forta kanë ndodhur pasditen e 1 qershorit, rreth orës 18:50, ku një tërmet me magnidutë 4.4 goditi rreth 17 kilometra larg Korçës./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *