Vendosni fjalën kyçe....

Mbanin heroinë dhe kokainë në shtëpi, arrestohen babë e bir në Fier, në pranga dhe kunata


Arrestohen tre persona në Fier, pas një operacioni antidrogë të koduar “Shënjestra”. Tre të arrestuarit, mes të cilëve një grua, dyshohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike si dhe për armëmbajtje pa leje. Ata janë I. T., 47 vjeç, G. T., 22 vjeç (djali i I. T), dhe T. T, 51 vjeçe (kunata e I. T), të tre banues në Bishanak, Fier.

Në banesat e të arrestuarve u gjetën rreth 1,4 Kg Heroinë dhe 1 Kg Kokainë.

Detajet e policisë

“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u finalizua me sukses operacioni policor antidrogë i koduar “Shënjestra”.

Gjatë operacionit u godit një grup i cili ushtronte aktivitetin kriminal të përpunimit dhe shitjes së lëndëve të forta narkotike Heroinë dhe Kokainë në qytetin e Fierit dhe në qytete të tjera. Si rezultat i operacionit, në banesat e këtyre shtetasve u gjet dhe u sekuestrua rreth 1,4 Kg lëndë narkotike e dyshuar Heroinë dhe rreth 1 Kg lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.

Një pjesë e Heroinës ishte e ndarë në doza të vogla gati për shitje. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe 1 armë gjahu pa leje.

Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  1. T., 47 vjeç, banues në Bishanak, Fier (i dënuar më parë për grabitje me dhunë).
  2. T., 22 vjeç (djali i I. T), banues në Bishanak, Fier.
  3. T, 51 vjeçe (kunata e I. T), banuese në Bishanak, Fier.

U proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë dhe vijojnë hetimet për të parë implikimin e tyre në këtë veprimtari kriminale.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Z. T., 55 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor i shtetasve të arrestuar për këtë veprimtari kriminale Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.