Vendosni fjalën kyçe....

Tre të arrestuar për grabitjen në Peqin, një tjetër në kërkim


Tre persona janë arrestuar dhe një i katërt është shpallur në kërkim në lidhje me grabitjen e ndodhur në Peqin tre ditë më parë.

Të arrestuarit janë dy të rinj nga Peqini dhe një vajzë nga Durrësi: B.H., 30 vjeç,  M.Ll., 27 vjeç dhe  E.Sh., 27 vjeçe.

“Policia zbardh ngjarjen, identifikon dhe arreston  autorët e dyshuar të vjedhjes së banesës  të shtetasit S.Z.,   ndodhur më datë 08.05.2019. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin  e Policisë Peqin, pas një pune të mirë-organizuar hetimore dhe  profesionale  dhe në bazë të provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe ndalimin  e shtetasve:

B.H., 30 vjeç,  M.Ll., 27 vjeç, të dy banues në Peqin dhe  E.Sh., 27 vjeçe , banuese në Durrës.

Si dhe vijon puna  intensive për kapjen edhe të një prej autorëve të dyshuar të vjedhjes i cili është shpallur në kërkim, shtetasi S.I., 19 vjeç.

Arrestimi i tyre u bë pasi, dyshohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin, më datë 08.05.2019, kanë vjedhur në banesën e shtetasit S.Z.,  një sasi të kosiderueshme parash. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale ” Vjedhja”.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së enjtes. Mësohet se Skënder Beqiri 75 vjeç, tregtar rrobash, është grabitur dhe dhunuar nga një çift bashkëshortësh.

Bashkëshortja e Beqirit, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital, ka rrëfyer gjithë ngjarjen duke pretenduar se nga banesa e tyre ishin grabitur rreth 60 mijë euro. Sipas saj, në momentin e grabitjes në shtëpi ka qënë vetëm bashkëshorti.

“Unë erdha në orën 1 se shkoj në treg me rrobat. O Skënder hape pak derën. Ai tha ça dere do ti, mua më kanë vrarë. Kishin prish bravën dhe kishin marrë gjithë lekët, rreth 60 mijë Euro “, thotë bashkëshortja e Skënderit.

Ka qënë një vajzë, ajo që i ka kërkuar që të futej në shtëpi për të përdorur tualetin. Më pas çifti e kanë lidhur 75-vjeçarin dhe më pas e kanë dhunuar, duke e detyruar që të tregonte se ku i mbante paratë.

Ata e kanë kërcënuar se nëse nuk do të tregonte ku kishte fshehur paratë, do ta vrisnin. Përballë kësaj situate, i moshuari 75 vjeç ka treguar gjithçka.

Pasi kanë marrë paratë dhe sendet me vlerë, grabitësit janë larguar në drejtim të paditur.