Vendosni fjalën kyçe....

Ishte në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 48-vjeçari në Lezhë, i sekuestrohen hoteli dhe pallati


Një 48-vjeçar është arrestuar në Lezhë, me qëllim ekstradimi  drejt Italisë.

48 vjeçari i arrestuar, Astrit Nimani, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane pasi, Gjykata e Milanos e kishte dënuar me 13 vite burg, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafik të narkotikëve”.

Policia e Lezhës kishte një muaj që e hetonte Nimanin. Atij iu sekuestruan pasuritë e paluajtshme me sipërfaqe totale 25000 m2, të cilat kapin një vlerë sipas çmimeve të tregut, rreth 10 milionë euro.

Këtu përfshihen: një godinë 5-katëshe, Hotel-Bar-Restorant, me sipërfaqe totale 7940 m2 në Shëngjin, një godinë 13-katëshe, me sipërfaqe totale 5000 m2 po në Shëngjin.

Detajet e policisë

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Arrestohet një shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra dhe një pune të mirë organizuar në bashkëpunim dhe me Interpol Tirana,  arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

A.L.48 vjeç, banues në Lezhë

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata në Milano/ Itali e ka dënuar këtë shtetas  me 13 vite burg, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafik të narkotikëve”, parashikuar nga  nenet 81 dhe 110 të Kodit Penal Italian.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.