Vendosni fjalën kyçe....

Sot opozita në protestë, bllokon qarkullimin në 12 qarqet e vendit


Sot do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës. Kreu i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi ditën e djeshme përshkallëzim të mosbindjes civile dhe ndryshe nga java e kaluar, protestuesit sot do të bllokojnë akset kryesore rrugore në 12 qarqet e vendit.

“Me zonjën Kryemadhi dhe me të gjithë aleatët po konkordojmë hapat që opozita do të hedhë në përshkallëzimin e aksionit opozitar.

Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, një krizë kushtetuese, një krizë ekonomike dhe sociale. Dhe siç u bë e qartë edhe 24 orët e fundit në një krizë totale të procesit më jetik për Shqipërinë, atë të integrimit të vendit në  Bashkimin Europian.

Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar Kushtetutën, ka asgjësuar demokracinë, ka asgjësuar zgjedhjet, themelin e llogaridhënies demokratike të qeverisë para qytetarëve që është vota e lirë.

Ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile. Paradite në orën 11:00 do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndërkohë po punojmë intensifikisht për programet tona respektive politike dhe ekonomike për ofertën tonë për shqiptarët; jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza por për t’iu dhënë atyre sigurinë, liritë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjitha.”, tha Basha.

Sipas kreut të PD-së,  largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën e dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore. Ndryshe nga protesta e javës së kaluar, sot protesta do të zgjasë 2 orë dhe jo 1 orë.

Akset që do të bllokohen:

Qarku Kukës – Ura e Drinit në hyrje të Rrugës së Kombit.

Qarku Shkodër – Rruga Shkodër – Koplik

Qarku Lezhë – Mbikalimi Milot

Qarku Dibër- Ura në kryqëzimin Burrel – Rrëshen – Klos.

Qarku Durrës- Plepa, ne hyrje të Autostradës

Qarku Tirane- Sheshi Shqiponja

Qarku Elbasan – Mbikalimi Bradashesh

Qarku Korçe – Hyrja, rruga nacionale e Korçës.

Qarku Gjirokastër – kryqëzimi i Rrugës Përmet-Tepelenë – Gjirokastër

Qarku Fier- Rruga nacionale tek Ura Mbrostar.

Qarku Berat në Ura Vajgurore, aksi Berat – Ura Vajgurore.

Qarku Vlore- Hyrja e superstradës Vlorë – Levan/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *