Vendosni fjalën kyçe....

Meta uron Pashkët nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit”: Shpresë për të ardhmen!


Presidenti i Republikës Ilir Meta, u ka uruar sot Pashkët besimtarëve ortodoksë, nga katedralja “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet. Pasi mori pjesë në meshën e shenjtë, Presidenti është shprehur se “Pashkët janë shpresë për një të ardhme më të mirë, janë simbol i luftës mbi të keqen”.

“Sot është ditë e triumfit të jetës mbi vdekjen, shpresës mbi frikën dhe pasigurinë, është një ditë që na bashkon të gjithëve dhe na ndihmon të reflektojmë për më shumë bashkëpunim dhe harmoni për të mirën e përbashkët”, vijoi më tej presidenti.

Meta edhe më herët, i uroi besimtarët përmes rrjeteve sociale. Meta shkruan se shpresa dhe e mira nuk vdesin kurrë para malit të së keqes, padrejtësive, veseve, frikës e zhgënjimit, mosbesimit e arrogancës, korrupsionit, dhunës dhe çdo fenomeni negativ që vret paqen, drejtësinë e barazinë sociale dhe helmon rëndë shoqërinë.

“Në vigjilje të kremtimit të Ditës së Ringjalljes së Krishtit, u uroj nga zemra besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar: Nga mot gëzuar Pashkët! Mbarësi, shëndet, paqe e begati në familjet tuaja!

Festa e Pashkëve dhe e dritës që nuk perëndon kurrë, na kujton sot se para malit të së keqes, padrejtësive, veseve, frikës e zhgënjimit, mosbesimit e arrogancës, korrupsionit, dhunës dhe çdo fenomeni negativ që vret paqen, drejtësinë e barazinë sociale dhe helmon rëndë shoqërinë, shpresa dhe e mira nuk vdesin kurrë.

Me besimin në Zot dhe duke përqafuar gjithmonë vlerat më të mira hyjnore, morale e sociale, por edhe kombëtare, me dashuri, harmoni të plotë, dialog, mirëkuptim, bashkëpunim e vëllazërim, secili prej nesh dhe shoqëria jonë në tërësi, mund të tejkalojë çdo sfidë, pavarësisht sakrificave, për të ecur e sigurt drejt së ardhmes më të mirë, në familjen europiane.

Të dashur miq,

Dita e Ringjalljes së Krishtit gjithashtu na kujton nevojën për të forcuar jo vetëm harmoninë tonë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe solidaritetin me njerëzit në nevojë, të sëmurët, të pamundurit, fëmijët e të moshuarit, që kanë aq shumë nevojë për përkujdesje e dashuri të përhershme.

Duke u përcjellë të gjithëve urimet e mia më të mira në prag të kësaj Dite të Shenjtë, jam i bindur se shpresat te jeta më e mirë do të ringjallen për mbarë shqiptarët!

GËZUAR PASHKËT!”, shkruan presidenti.

 

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *