Vendosni fjalën kyçe....

Një problem kompjuterik shkatërroi Notre Dame? Çfarë thotë famulltari i katedrales franceze


Zjarri që shkatërroi Katedralen e Notre Dame në Paris, mund të jetë përkeqësuar për shkak të një defekti kompjuterik.

Kështu ka deklaruar famulltari i katedrales. “RT” shkruan se zyrtarët po paralajmërojnë gjithashtu për mashtrimet që mund të ndodhin, pasi hajdutët po kërkojnë të shfrytëzojnë fondet për rikontruktimin e katedrales përmes mashtrimeve sidomos në internet.

Zjarri shpërtheu në Notre Dame të hënën, dhe u përhap me shpejtësi përgjatë çatisë së drunjtë, duke dëmtuar rëndë thesarin gotik. “Është e mundur që zjarri ishte në gjendje të përhapej kaq shpejt për shkak të një ‘problemi kompjuterik’ me sistemin e alarmit”, tha famulltari Patrick Chauvet të premten.

Chauvet nuk e ka specifikuar natyrën e anomalisë. Alarmi i zjarrit shpërtheu në orën 6 sipas orës lokale, por e regjistroi flakën në vendin e gabuar.

Hetuesit e policisë dyshojnë se një qark elektrik i shkurtër qëndron pas zjarrit.

“Ne mund ta zbulojmë se çfarë ndodhi në dy ose tre muaj,” tha Chauvet mes të tjerash.

Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit tha për gazetën “Le Figaro” se “bujaria e jashtëzakonshme” nga mbarë bota pas zjarrit, do t’i lejojë Kishës Katolike të konsiderojë “ringjalljen” e katedrales.

Megjithatë duket se hajdutët po mundohen të përfitojnë nga situata. Fondacioni Patrimony ka paralajmëruar publikun të mos bjerë pre e mashtrimeve të faqeve në rrjet, mes tyre weebly.com, pasi po kërkojnë paratë t’i mbajnë për vete dhe jo për katedralen.

Donatorët duhet të shmangin thirrjet derë më derë, thirrjet telefonike, e-mailet ose fushatat e internetit, sepse ato kanë më shumë gjasa të jenë mashtrime.