Vendosni fjalën kyçe....

Ruçi vizitë në Katar, takon kryeparlamentarin al-Mahmoud


Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, gjatë vizitës së tij në Katar u takua me kryetarin e Parlamentit të Katarit. Ruçi, në krye të një delegacioni  parlamentar, ndodhet këto ditë për një vizitë zyrtare ne Katar. Në delegacion bëjnë pjesë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtar i grupit të miqësisë me Katarin, Taulant Balla, dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Vilma Bello dhe Musa Ulqini, si edhe sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shipërisë, Genc Gjonçaj.

Më 5 prill, Ruçi dhe delegacioni shqiptar u takuan me Kryetarin e  Parlamentit të Katarit Ahmad bin Ambudulla bin Zaid al-Mahmoud.

Ruçi vuri në dukje se marrëdhëniet dypalëshe me Katarin janë aktualisht shumë të mira. Për fuqizimin e tyre, Kryetari i Kuvendit sugjeroi zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar, nëpërmjet rritjes së kontakteve të grupeve të miqësisë dhe bashkëpunimit midis komisioneve parlamentare, si edhe nxitjen e qeverive, institucioneve dhe sipërmarrjeve private të të dy vendeve për të rritur e zgjeruar bashkëpunimin midis tyre. Ruçi nënvizoi gjithashtu se marrëveshjet e nënshkruara midis të dy vendeve duhet të fillojnë të zbatohen, në mënyrë që qytetarët dhe sipërmarrjet të përfitojnë prej tyre.

“Me interes për Shqipërinë do të ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe shtimi  i investimeve nga Katari në projektet strategjike për vendin. Midis tyre, dëshiroj te nenvizoj aktivizimin e marrëveshjeve ekonomike e tregëtare të nënshkruara dhe përshpejtimin e atyre që janë në proçes, përshpejtimin e veprimeve të qeverise së Katarit për lehtësimin dhe heqjen e vizave për shqiptarët, bashkëpunimin në fushën e transporit ajror dhe  hyrjen e Qatar Airëays  për fluturime direkte Doha-Tiranë. etj”,- vuri në dukje Kryetari i Kuvendit.

Kryetari i  Parlamentit të Katarit, Ahmad bin Ambudulla bin Zaid al-Mahmoud vuri në dukje se Shteti i Katarit është mjaft i interesuar dhe i vendosur të zgjerojë dhe forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë, si një vend mik. “Unë do të nxis qeverinë  dhe kompanitë katareze të shqyrtojnë me kujdes propozimet e palës shqiptare dhe tu përgjigjen atyre me nisma konkrete bashkëpunimi”,- nënvizoi kryeparlamentari al-Mahmoud.

Shqipëria është e interesuar të bashkëpunojë me Katarin edhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Katari po mbështet  Shqipërinë për vendin në Këshillin e Sigurimit  të OKB-së për vitet 2022-23 dhe Shqipëria do të mbështesë Katarin për një vend anëtari jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit  për vitet 2042-43.

Ruçi kërkoi  mbështetjen e Shtetit të Katarit edhe për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Të dy palët shprehën interesin për shkëmbimin e pikëpamjeve për zhvillimet në rajonet respektive. Ruçi nënvizoi se Shqipëria  dëshiron zgjidhje sa më të shpejtë të mosmarrëveshjeve të Katarit me shtetet fqinjë përmes dialogut politik dhe shmangies së përshkallëzimit dhe se stabiliteti dhe paqja në vendet e Gjirit dhe përreth tij është i rëndësishëm për rajonin dhe më gjerë, në kuadrin e luftës kundër terrorizmit dhe bashkëpunimit ekonomik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *