Vendosni fjalën kyçe....

Klodiana Lala: Policia ka videon e atentatit ndaj Ardian Çapjas, autorët të pa maskuar por ngjarja nuk zbardhet


Gazetarja Klodiana Lala, i qëndron idesë se policia në Elbasan është totalisht e pafuqishme përballë krimit.

Ndërsa ishte e ftuar mbrëmë në emisionin “Të Paekspozuarit”, Lala tha se ka parë video të një atentati që i është bërë Ardjan Çapjes, ku duken autorët të pa maskuar, video të cilën e disponon policia por ngjarjen nuk e zbardh.

 “Kam parë personalisht dhjetëra video, që janë sekuestruar. Është tentuar të vritet Ardian Capja në Elbasan. Personat që kanë tentuar ta qëllojnë shfaqen qartë në video, janë të pa maskuar. Policia e disponon por ngjarja nuk zbardhet”, u shpreh Lala.

Sipas gazetares, situata e kriminalitetit në vend është kritike dhe kjo dëshmohet nga ekzekutimet e javëve të fundit, veçanërisht ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra. Sipas Lalës, një pjesë e policëve janë të inkriminuar dhe paguhen nga bandat.

“Situata e rendit dhe sigurisë në vend është kritike. Kjo ndodh në disa qytete të caktuara. Jo vetëm në Elbasan, por në Tiranë, Shkodër. Elbasani është pikë nevralgjike. Para pak ditësh është ekzekutuar një avokat.

Kur preket një avokat është prekur sistemi i drejtësisë. Kjo e ngre nivelin e alarmit shumë lart. Dyshimet janë për vrasje me pagesë, për shkak të përplasjes mes bandave rivale. Ka frike dhe terror edhe tek gjyqtarë dhe prokurorë që kanë dosje të caktuara.

Që nga tre shkurti i 2016, ka disa ngjarje të pazbardhura në Elbasan. Kam qenë të nesërmen e ngjarjes në Elbasan dhe kam konstatuar se atje policia ishte e pafuqishme. Një pjesë e policisë aty, është e inkriminuar, paguhen nga bandat. Në cdo vrasje, për 24 orë vendi i ngjarjes ruhet. Por, në rastin e vrasjes së avokatit, të nesërmen në lokalin ku ndodhi ngjarje, kishte normalitet dhe njerëzit pinin kafe. Duhet të kuptoni që Elbasani është qytet ‘Big Brother’, ka shumë kamera”, tha Lala.