Vendosni fjalën kyçe....

Rrihen për një vajzë, djali i zv.ministrit përfundon me krah të thyer


Djali i mitur i Bashkim Krasniqit, zëvendësministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, është përfshirë në një sherr fizik me një 18-vjeçar për shkak të një vajze.

Sikurse raportojnë mediat në Kosovë, djali 16-vjeçar i Krasniqit ka marrë disa lëndime trupore dhe ka përfunduar me një dorë të thyer.

Përplasja mes të rinjve ka ndodhur mbrëmjen e kaluar. 18-vjeçari Përparim Dugova e akuzoi 16-vjeçarin se i kishte ngacmuar të dashurën dhe pastaj u konfliktua me të.

“Mbrëmë rreth orës 23:30 kemi pranuar një informacion se në rrugën “Gjirokastra” në Fushë-Kosovë ka ndodhur një rrahje, ku lëndime trupore kanë pësuar dy persona të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar tre persona meshkuj (te mitur) të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, tha për Express, Flora Ahmeti, nga Policia e Kosovës.

Ndërkohë lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe vetë zv.ministri, i cili ka dhënë versionin e tij për ngjarjen.

“Djemtë janë të moshës 15 dhe 16 vjeçare. Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur unë isha në punë. Agresori e ka sulmuar djalin tim me thikë. Me të parë rastin, disa komshinj kanë intervenuar për t’i ndarë pjesëmarrësit në incident. Sulmuesi njihet si djalë problematik. Arsyeja e sulmuesit ishte shumë banale. Rasti ka ndodhur kështu: pasi djali im me disa shokë dhe shoqe janë kthyer në shtëpi nga shkolla, agresori e ka sulmuar djalin tim me arsyetimin se ky i ka ngacmuar të dashurën edhe pse djali im e ka mohuar një gjë të tillë duke i treguar se e ka shoqe të shkollës. Edhe pas intervenimit të komshinjve, sulmuesi ka tentuar përsëri që konfliktin ta vazhdoj në shtëpinë time. Si rezultat i incidentit djali im ka dorën e thyer dhe ka dëmtime në qafë”, deklaroi Krasniqi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *