Vendosni fjalën kyçe....

Pas ciklonit që vrau mbi 700 njerëz, shfaqet kolera në Mozambik


 

Konfirmohen rastet e para të kolerës në qytetin e Beiras në Afrikën e Jugut, të shkatërruar nga cikloni Idai.

Autoritetet e Mozambikut kanë njoftuar se katastrofa humanitare tanimë i ka lënë vendin sëmundjeve të ndryshme infektive, si malarja apo kolera, që po kërcënojnë seriozisht të gjithë komunitetin.

Pesë rastet e kolerës u konfirmuan në Munhava, një nga lagjet më të varfra në qytetin portual të Beira-s.

Qyteti i rreth 500,000 njerëzve ende po lufton për të siguruar ujë të pijshëm, pasi cikloni Idai goditi më 14 mars.
Për shkak të natyrës epidemike të sëmundjes, numri i pacientëve vetëm pritet të rritet me kalimin e ditëve.

“Sot presim rreth 100 apo 200 persona me heqje akute të barkut, e cila mund të jetë një nga simptomat e sëmundjes. Në total kemi trajtuar rreth 2,700 raste. Sigurisht që numri i pacientëve do të rritet pasi kolera është një epidemi, por po punohet intensivisht që të ofrohet ujë i pijshëm i pastër për banorët dhe të parandalohet përhapja e sëmundjes.”, u tha gazetarëve drejtori kombëtar i ndihmës mjekësore Ussene Isse.

Kolera është kthyer në një shqetësim serioz për të mbijetuarit të cilët tani jetojnë në kampe të mbushura me njerëz, nëpër shkolla, kisha dhe çdo tokë e ekspozuar nga ujërat e përmbytjeve.

Sëmundja përhapet nga ushqimet e kontaminuara dhe uji dhe mund të vrasë brenda disa orësh.

Organizata Botërore e Shëndetit ka njoftuar shpërndarjen në fundjavë të rreth 900 mijë vaksinave kundër kolerës që merren përmes gojës. Kolera shfaqet me pezmatim të zorrëve, ethe dhe heqje të vazhdueshme të barkut.

Bilanci i viktimave të ciklonit që goditi më 14 mars Mozambikun, Zimbabvenë dhe Malauin, është rritur mbi 700.

Vetëm në Mozambik numri i viktimave nga cikloni i 14 marsit ka arritur në 470, ndërsa mbi 230 të tjerë janë shënuar në shtetet e Zimbabvesë dhe Malavit.