Vendosni fjalën kyçe....

“Në qershor zgjedhje të parakohshme, pa Ramën kryeministër” – Alibeaj


Ish-deputeti demokrat, Alibeaj, ka deklaruar se protesta e opozitës së bashkuar do vijojnë deri në dorëheqjen e Edi Ramës si kryeministër.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ai tha se kohët e qeta për qeverisjen e Ramës kanë përfunduar dhe se besimi i publikut te opozita është gjithnjë e më i madh.

“16 shkurti ishte test për vrasjen e frikës dhe protestat do të vazhdojnë. Kohët e qeta tashmë për Ramën kanë mbaruar. Më duhet ta pranoj se ka pasur një mbështetje dhe besueshmëri të publikut ndaj opozitës. Lënia e mandateve rriti besueshmërinë tek publiku. Shteti ka rënë dhe sistem parlamentar nuk kemi. Protestat janë ndër mjetet më të forta kundër regjimit autokratik.”– tha Alibeaj.

Ai ka shtuar se protestat janë i vetmi mjet kundër regjimit që është instaluar në vend dhe theksoi edhe njëherë se zgjedhjet e vitit 2017 janë blerë me lekët e drogës dhe mbështetjen e kriminelëve.

“Nuk ka shqiptar sot që nuk e di se kjo qeveri nuk ka asnjë mbështetje legjitime. Ky është parlament i krimit, i mbështetur nga kriminelët. Qytetarët kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet këtu janë blerë e kjo gjë ka dalë sheshit përmes përgjimeve. E thotë një media prestigjoze si Zëri i Amerikës”, tha Alibeaj.

Në fund, ish-deputeti tha se në qershor do ketë zgjedhje të parakohshme por pa Ramën si kryeministër.

“Në qershor do të ketë zgjedhje të parakohshme pa Edi Ramën. Janë shumë deputetë dhe ministra që kanë lidhje me krimin. Nga viti 2013 e këtij kemi një parlament të krimit. Qytetarët shqiptarë janë sot nën tutelë të krimit. Zgjedhje me krimin nëpër këmbë e me banda nëpër qendra votimi nuk mund të ketë.” – mbylli Alibeaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *