Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkohet nga detyra drejtoresha e Kufirit dhe Migracionit në Durrës


Shkarkohet nga detyra drejtoresha Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Durrës, Lindita Nushi. Shkarkimi i Nushit vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të gjashtë kontrollorëve në portin e Durrësit.

 Ata dyshohet të jenë përfshirë në skema ryshfeti gjatë kohës që ushtronin kontrollet në kufi.

“Gjatë ndjekjes së këtij procedimi janë aplikuar metodat speciale të hetimit, ku rezulton e provuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre punonjësve të policisë, të cilët, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare, bënin të mundur kalimin e paligjshëm të personave me probleme, apo kategorisë së shtetasve që nuk u lejohet udhëtimi drejt zonës “Shengen”-thuhet në njoftimin e policisë për arrestimin e 6 kontrollorëve.

Këta të fundit u lanë të lirë nga gjykata e Durrësit e cila me 5 mars dha masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për Greta Batusha si dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për Durim Zeka, Arjan Gjyzeli, Dorina Doganaj, Gëzim Çaça.