Vendosni fjalën kyçe....

Pse Rama shfaqet vetëm në mediat italiane?


Mbrëmjen e djeshme kryeministri Rama u shfaq në televizionin italian “RAI1”, ku foli lidhur me situatën e fundit politike në vend.

Siç e paralajmëroi në fjalën e tij në nisje të seancës plenare të ditës së djeshme, kreu i qeverisë do shkonte në vendin fqinj për t’u shpjeguar italianëve atë që po ndodh në Shqipëri dhe për të përmirësuar imazhin e vendit, të prishur sipas tij nga një gomë e djegur para Parlamentit.

Javët e fundit kryeministri Rama është bërë shumë familjar me mediat e huaja, në një fushatë mediatike, duke dhënë intervista pas protestave të opozitës që kanë nisur më 16 shkurt dhe kanë vijuar para çdo seance parlamentare.

Ajo që të bie në sy në gjithë këtë fushatë, është se mediat e vetme ku kreu i qeverisë shfaqet janë ato italiane.

Nuk ka asnjë media të Francës, Gjermanisë, Austrisë, Holandës, Belgjikës, Britanisë së Madhe, Zvicrës, ku ai të jetë shfaqur duke dhënë intervista apo duke bërë deklarata.

Muajt e fundit, kryeministri Rama ka qenë 2 herë në Gjermani, ku ka hapur ekspozitat e tij të pikturës, por nuk është pritur nga asnjë zyrtar gjerman.

Vlen të përmendet fakti se Shqipëria ka disa kohë që është në prag të çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, por ndërkohë që Italia ka qenë që në krye të herës mbështetëse për çeljen e tyre, Franca, Holanda dhe Belgjika janë shprehur tejet skeptike për çeljen e tyre me Shqipërinë, kurse Gjermania ka vendosur një sërë kriteresh të rrepta për t’iu dhënë vendit dritën jeshile.

Ndoshta kreu i qeverisë duhet ta zgjerojë gjeografinë e vendeve ku duhet të shfaqet, për të bindur vendet kryesore të BE-së se punët në Shqipëri shkojnë vaj dhe se qëndrimi kritik ndaj qeverisjes së Ramës dhe socialistëve të Parlament është i pabazë.

Se akuzat për kapjen e sistemit të drejtësisë, bashkëpunimin me krimin e organizuar në zgjedhjet e vitit 2017, kapja e mediave televizive, korrupsioni dhe pastrimi i parave janë thjesht një iluzion. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *