Vendosni fjalën kyçe....

S’i pranuan në takim, artistët irritohen me eurodeputetët: Vendimi juaj enigmatik!


Aleanca për Mbrojten e Teatrit ka reaguar në lidhje me takimet e sotme të zhvilluara nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Përmes një deklarate të bërë publike për mediat, kjo aleancë shprehet e zhgënjyer që kërkesa e saj për të marrë pjesë në takim është refuzuar.

“Të dashur anëtarë të Parlamentit Europian,
Ne ndihemi të zhgënjyer që ju e kthyet kërkesën tonë për t‘u përfshirë në një takim të mbajtur me ‘Shoqërinë Civile’.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grup artistësh dhe qytetarësh të shqetësuar, ka qenë në gjendje t’i rezistojë përpjekjes jokushtetuese për të shkatërruar Teatrit Kombëtar për më shumë se një vit, falë një proteste të vazhdueshme të përditshme që është ende në vazhdim. “, thuhet në deklaratë.

Artistët që prej më shumë se një viti kanë rezistruar me protesta të përditshme, konsiderojnë se kanë bërë atë që shoqëria civile në vend nuk e ka bërë – përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe veprimin si një barrikadë kundër vendimeve abuzive të qeverisë.

Për këtë shkak, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e konsideron enigmatike dhe të vështirë për të kuptuar se përse prania e tyre u konsiderua e panevojshme, krahas përfaqësuesve të shoqërisë civile: “Kjo është arsyeja pse vendimi juaj për të mbajtur një takim me “shoqërinë civile” pa praninë e aleancës është jashtëzakonisht enigmatik dhe i vështirë për t’u kuptuar në këtë moment.”