Vendosni fjalën kyçe....

Organizata e PPE: Damian Gjiknuri i lidhur me krimin e organizuar dhe vjedhjen e votave


Damian Gjiknuri është politikani i radhës, emri i të cilit lakohet për bashkëpunim me njerëz të inkriminuar për blerjen e votave.

Pas Vangjush Dakos që është përmendur dhe stërpërmendur, YEPP, e cila është organizata rinore e Partisë Popullore Evropiane, ka denoncuar lidhjen e Damian Gjiknurit, ish-ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës me vjedhjen e votave.

Përmes një deklarate, YEPP shkruan se Gjiknuri ka bashkëpunuar drejtpërdrejt me kriminelë, për të intimiduar dhe kërcënuar qytetarët që të votojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 2017-ës. Yepp i referohet përgjimeve të “Zërit të Amerikës.”

“Këto regjistrime janë tregues të fortë edhe se Damian Gjiknuri, ish-ministër i infrastrukturës dhe Edi Rama, kryeministri aktual i Shqipërisë, kanë kontaktuar drejtpërdrejt dhe kanë bashkëpunuar me kriminelë të dënuar, të cilët kanë një ndikim të fortë në komunitetet e tyre përkatëse lokale.

Kjo në mënyrë të pashmangshme ka çuar në intimidimin e mëtejshëm të votuesve, të cilët janë ndeshur me kërcënime në rast se nuk binin dakord.”, thuhet në deklaratën e YEPP.

Kjo organizatë thekson se është në mbështetje të shqiptarëve, ndërsa shton se qytetarët shqiptarë sot po detyrohen të durojnë një regjim që i mohon atyre të drejtat themelore kushtetuese, që minon mediat dhe lirinë e fjalës.

DEKLARATA E YEPP

Shqipëria sot po jeton në një kohë të jashtëzakonshme dhe të pashembullt në historinë e saj. Opozita e bashkuar shqiptare vendosi të tërheqë mandatet e deputetëve të saj, për shkak të regjistrimeve të publikuara nga “Zëri i Amerikës”.

Këto regjistrime provuan akuzat që Partia Demokratike kishte bërë për vite me radhë. Ato zbuluan prova konkrete të regjistruara, se kryebashkiaku i Durrësit, qytetit të dytë më të madh shqiptar, Vangjush Dako, bashkëpunoi drejtpërdrejtë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 me një nga familjet më të fuqishme kriminale në qytet, kjo me qëllim që të siguronte vota për Partinë Socialiste në pushtet.

Këto regjistrime janë tregues të fortë edhe se Damian Gjiknuri, ish-ministër i infrastrukturës dhe Edi Rama, kryeministri aktual i Shqipërisë, kanë kontaktuar drejtpërdrejt dhe kanë bashkëpunuar me kriminelë të dënuar, të cilët kanë një ndikim të fortë në komunitetet e tyre përkatëse lokale.

Kjo në mënyrë të pashmangshme ka çuar në intimidimin e mëtejshëm të votuesve, të cilët janë ndeshur me kërcënime në rast se nuk binin dakord.

Kryeministri socialist i Shqipërisë i ka mohuar këto fakte dhe e ka etiketuar “Zërin e Amerikës”, një organizatë e njohur mediatike me bazë në Shtetet e Bashkuara, si “kazan”.

Kryeministri ka ndaluar gjithashtu prokurorët të bëjnë hetime të mëtejshme ndaj këtyre politikanëve, ndaj të cilëve nuk ka asnjë hetim të hapur. Kjo përkundër provave të pamohueshme kundër bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Shqipëria është anëtare e OSBE-së dhe NATO-s, institucionet ndërkombëtare që kërkojnë një qeveri solide dhe demokratike në shtetet e tyre anëtare, në mënyrë që të mos rrezikojnë demokracinë dhe legjitimitetin e tyre.

Vetë OSBE, pas zgjedhjeve të vitit 2017, konfirmoi se kishte parregullsi të rënda lidhur me kërcënimin e votuesve dhe ryshfetin, duke minuar procesin demokratik të Republikës.

20 për qind e votuesve kanë pranuar se atyre u janë ofruar para në këmbim të votës.

Shqipëria shpreson të hapë bisedimet për pranimin në Bashkimin Evropian në qershor të 2019-ës, megjithatë, përfaqësuesit e Partisë Popullore Evropiane kanë konfirmuar se për fat të keq, kjo nuk ka gjasa të ndodhë, nëse nuk ka ndryshime drastike.

Qytetarët shqiptarë sot po detyrohen të durojnë një regjim që i mohon atyre të drejtat themelore kushtetuese – një regjim që vazhdimisht shtyp dhe minon mediat dhe lirinë e fjalës.

Në këtë sistem politik, lideri dhe aleatët e tij më të ngushtë paraqiten të papërgjegjshëm para ligjit.

YEPP mbështet Shqipërinë dhe po lëshon këtë deklaratë, sepse kjo qeveri duhet të mbajë përgjegjësi për hir të popullit shqiptar, por edhe për hir të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Nevojitet vëzhgimi i kujdesshëm lidhur me sundimin e ligjit, të drejtat e opozitës, si dhe trajtimin e krimit të organizuar. Kjo vërejtje është bërë më parë edhe nga presidenti i EPP-së, Joseph Daul.

Sigurimi i të drejtave të opozitës, zbatimi i ligjit në lidhje me korrupsionin dhe zbatimi i plotë i ligjeve demokratike do të legjitimojë demokracinë e vendit.

Për të ardhmen e dëshiruar evropiane, Shqipëria duhet të sigurojë urgjentisht zgjedhje të lira dhe të drejta, të cilat garantojnë parimet themelore të një demokracie funksionale.

 

Deklaratën origjinale të YEPP mund ta lexoni këtu.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *