Vendosni fjalën kyçe....

“Gazi i përdorur nga policia ishte helmues, urgjentisht të analizohen kampionët”


Në protestën e djeshme para Parlamentit, efektivët e policisë përdorën kundër protestuesve gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Mirëpo mjeku i njohur Petrit Vargu, ka hedhur dyshime mbi llojin e gazit të përdorur nga autoritetet kundër qytetarëve.

Sipas Vargut, gazi i përdorur nuk është ai i certifikuar nga CE, duke e konsideruar atë helm që nuk duhej përdorur e madje i kërkon edhe Avokatit të Popullit të ndërhyjë urgjentisht.

“Ky nuk është gazi lotsjellës që përdoret nga policia në vendet e Europës Perëndimore.

Avokati i Popullit urgjentisht duhet të ndërhyjë dhe të çojë në institucionet kompetente kampionet për analizë. Askush nuk ka të drejtë të dëmtojë shëndetin me helme të pa certifikuara CE.”, shkruan Vargu.

Kur protestuesit u konfrontuan me policinë me qëllim për t’u futur në Parlament, efektivët i sulmuan me gaz lotsjellës. Me gjithë hedhjen e gazit lotsjellës as kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe as kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nuk e kanë lëshuar protestën.

Edhe protestuesit pasi janë shpërndarë nga gazi janë mbledhur sërish duke qëndruar përballë policisë, pavarësisht se shumë prej tyre janë ndier keq. Një grua e cila është ndjerë keq ka përfunduar pa ndjenja.

Në ndihmë të saj kanë ardhur protestues të tjerë. Ndërkohë që edhe një person tjetër, një burrë është ndjerë keq. Ai është parë të shtrihet në dyshemenë e një prej dyqaneve përballë parlamentit.

Ish-deputeti Bardh Spahia, i cili vizitoi mbrëmë të lënduarit në urgjencë, tha se mbetën të plagosur 13 protestues, kryesisht nga përdorimi në mënyrë kriminale e gazit lotsjellës, i cili sjell shumë efekte anësore për një periudhë shumë të gjatë tek të dëmtuarit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *