Vendosni fjalën kyçe....

ARRSH nis më 14 shkurt ndërhyrjet në akset Tiranë-Qafë Kashar e Tiranë-Kamëz, kufizohet e devijohet trafiku


ARRSH do ndërhyjë në autostradën Tiranë-Durrës dhe në rrugën Tiranë-Kamëz.

Sipas njoftimit të bërë nga ky institucion, ndërhyrja në aksin Tiranë-Qafë Kashar do nisë në datën 14 shkurt dhe do zgjasë deri në datën 19 shkurt.

Sipas ARRSH-së, gjatë këtyre ditëve do punohet për ndërtimin e pusetave ndërkohë që do ketë kufizim dhe devijim të trafikut të automjeteve që do përdorin këtë aks rrugor.

Kurse punimet në aksin Tiranë-Kamëz do nisin në datën 14 shkurt dhe do përfundojnë në datën 17 shkurt. Sipas ARRSH-së, kjo ndërhyrje bëhet për riparimin e pjesëve të dëmtuara të rrugës.

Në datën 16 shkurt në Tiranë pritet të organizohet një protestë e thirrur nga opozita kundër qeverisë së kryeministrit Rama.

Policia ka deklaruar në një deklaratë zyrtare se do ushtrojë kontrolle të shumta në rrugët kryesore të vendit për të shmangur ardhjen në protestë të elementëve kriminalë.

Ndërkohë Partia Demokratike i është përgjigjur kësaj deklarate duke i kërkuar policisë që të qëndrojë larg protestuesve dhe të mos i pengojë që të vijnë në Tiranë për të marrë pjesë në protestë.

Njoftimi i ARRSH-së

1. Vazhdimi i punimeve për ndërtimin e dy tombinove të reja rrethore në autostradë, në segmentin Tiranë – Qafë Kashar (kthesa Rinas) në kilometrin 6+600 dhe 6+800 nga Kastrati & Alba-Elettrica, për ndërtimin e pusetave hyrëse dhe dalëse të portaleve të tombinove.

Për këtë arsye gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve do të realizohet devijimi i trafikut në km 6+500 në drejtimin Tiranë – Durrës dhe në km 7+550 në drejtimin Durrës – Tiranë në rrugët dytësore në këto pika. Trafiku në këto segmente do të bëhet vetëm në një kalim.

Lëvizja e mjeteve në këtë segment rrugor do të kufizohet brenda harkut kohor 14.02.2019 deri në datë 19.02.2019, sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.

2. Gjithashtu në segmentin rrugor Tiranë – Kamëz, mbas mbikalimit të Kamzës, do të realizohet riparimi i shtresave asfaltike të dëmtuara. Punimet në këtë segment rrugor do të realizohen duke kufizuar trafikun e mjeteve në një korsi të lëvizjes gjatë kohës së kryerjes së punimeve.

Lëvizja e mjeteve në këtë segment rrugor do të kufizohet brenda harkut kohor prej datës 14.02.2019 deri në datë 17.02.2019, sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanive të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur dhe udhëzimeve të Policisë Rrugore në terren.