Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje Vokshi-Lleshaj në komision: “Meqë jeni ministër i ri”, “S’kam ardhur të shoh film”


Me tensione dhe debate është shoqëruar seanca dëgjimore e ministrit të Brendshëm, Lleshaj në komisionin e Edukimit.

Lleshaj i kërkoi kryetares së komisionit, Vokshi, që t’i shpjegonte se mbi cilat nene ishte bazuar për ta thirrur në seancën dëgjimore.

Debatat

Lleshaj: Është kënaqësi që përballem me një grup të nderuar deputetësh. Do i referohem nenit para se të filloj, në mënyrë që të orientohem në bazë të qëllimit.

Vokshi: Unë kam cituar nenin e rregullores për të cilin ju jeni i detyruar të vini në komision. Bëhet fjalë për nenin 36 dhe 80 të Kushtetutës. Është ministër i ri, t’ia shpjegojmë. Mbase s’e ka kuptuar se e ka detyrim të përgjigjet jo vetëm para eprorit, privatisht. Ju mbajnë për etikë dhe njeri të kulturuar.

Lleshaj: Me etikë jam…

Vokshi: Mbase nuk e kishit kuptuar që duhet të raportoni para parlamentit. Është detyrim kushtetues. Ju, ata sipër jush ose ata poshtë jush kanë urdhëruar dhunë të pashembullt ndaj studentëve brenda mjediseve të fakulteteve.

Lleshaj: Kushtetuta më jep 3 javë kohë që të përgatitem dhe të vij në seancë dëgjimore. Pyetja që keni dërguar është në fakt përgjigje. Ju thoni dhunë e policisë ndaj studentëve. Po ju them për t’i rënë shkurt. Policia nuk ka ushtruar dhunë në asnjë prej protestave të studentëve. Nuk bëj komentatorin e videove. Kam ardhur të flas jo të shoh film. Nuk kam ardhur të shoh film.

Vokshi: Ja ku e keni videon. Shihni çfarë thonë studentët. Kush e dha urdhrin që të rrethohen studentët, të futen brenda universiteteve.

Lleshaj: Që prej 5 dhjetorit policia është angazhuar që protestat të shkojnë mirë. Kanë punuar me orar të zgjatur. Ka pasur zero incidente. Incidentet kanë pasur të bëjnë me individë të caktuar që kanë tentuar të marrin peng protestat me fillimin e janarit.