Vendosni fjalën kyçe....

Abazoviç: Jam i bindur se koalicioni jonë do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhshme


Mali i Zi po mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Dritan Abazoviç.

Abazoviç është i bindur se partia që drejton ka dhënë kontribut të madh për vendin dhe se duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm.

Ai se është herët të flitet nëse do të jetë sërish pjesë e kabinetit qeveritar, si kryeministër apo ministër, pasi votimi ende po vazhdon.

Megjithatë, kreu i lëvizjes qytetare, URA, u shpreh i bindur që koalicioni i tyre do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhshme në Malin e Zi.

“Mendoj se është herët me fol, por jam i bindur se koalicioni jonë do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhme. Çfarë nënkupton ajo, do ta shohim në javët e ardhshme”, pohoi ai.

Abazoviç më tej deklaroi se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më mirë sesa tani dhe se kurrë nuk kanë pasur përfaqësim më të madh sesa tani në qeveri apo në institucionet e ndryshme.

Theksojmë se deri në orën 15:00 votuan 35.1 për qind e votuesve ose rreth 190.750 qytetarë, njoftoi Qendra për Tranzicion Demokratik (CDT).

Këto janë zgjedhjet e treta brenda nëntë muajve dhe të parat pa Milo Gjukanoviçin si lider të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), i cili pas tri dekadash është tërhequr pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ka pësuar humbje nga kandidati i lëvizjes, “Evropa Tani”, Jakov Millatoviç.