Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku pranon abuzimin dhe skllavërinë seksuale të murgeshave nga priftërinjtë katolikë


Papa Françesku ka pranuar se abuzimi seksual i murgeshave nga priftërinjtë katolikë dhe “skllavëria seksuale” është një problem i vazhdueshëm në Kishën Katolike, por thekson se Vatikani po “punon për ta ndalur këtë fenomen”.

“Nuk mund të them kjo nuk po ndodh në shtëpinë time. Është e vërtetë,” tha Papa kur një gazetar i tregoi një artikull të kohëve të fundit, në revistën e grave të Vatikanit për abuzimin seksual të murgeshave.

“A duhet të bëjmë më shumë? Po. A jemi të gatshëm? Po. Ne kemi punuar për këtë për një kohë të gjatë. Ne kemi pezulluar edhe disa priftërinj për shkak të kësaj.”, shtoi Papa Françesku.

I pyetur nëse ai po planifikonte të thërriste një konferencë të peshkopëve, të ngjashme me samitin e këtij muaji për të trajtuar abuzimin seksual të klerikëve me fëmijët, Papa nuk u përgjigj.

“Dua të shkoj përpara. Ne po punojmë për këtë”, përsëriti ai.

Papa Françesku vlerësoi paraardhësin e tij, Papa Benedikti, për shpërndarjen e një kongregacioni të murgeshave “për shkak se skllavëria ishte bërë pjesë e saj, madje edhe skllavëria seksuale nga ana e priftërinjve”.

Një drejtor i shtypit në Vatikan, konfirmoi se Papa Françesku po i referohej Komunitetit të Shën Jean në Francë, i cili u shpërnda gjatë vitit të parë të Benediktit si Papë, në 2005-ën.

Ndërgjegjësimi i publikut për abuzimin seksual të murgeshave nga priftërinjtë erdhi si pasojë e papritur e lëvizjes “#MeToo”, e cila nisi dhe në mesin e motrave katolike vitin e kaluar.

Ky skandal erdhi në një kohë të keqe për Kishën Katolike, e cila ishte zhytur tashmë në një skandal të abuzimit seksual të fëmijëve që përfshinte mijëra priftërinj dhe madje edhe më shumë viktima.

Papa Françesku u ka bërë thirrje palëve fajtore që të kthehen dhe të “përgatiten për drejtësinë hyjnore”, ndërsa këtë muaj është thirrur edhe një samit i peshkopëve për të trajtuar problemin.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e RT/ Përshtati në shqip Hashtag.al