Vendosni fjalën kyçe....

Përkeqësohet furnizimi me ujë, Enti i ujit: Humbjet në rrjet 63%


Mbulimi i furnizimin me ujë u përkeqësua me 0.09% gjatë vitit 2018, ndërkohë që mbulimi me kanalizime pësoi përmirësim me 1.4% në krahasim me një vit më parë.

Të dhënat raportohen nga Enti Rregullator i Ujit në raportin vjetor të këtij dikasteri, i cili e argumenton përkeqësimin me përfshirjen në zonën e shërbimit të shoqërive ujësjellës-kanalizime të riorganizuara të mjaft zonave rurale në të cilat nuk ekzistojnë sisteme inxhinierike të furnizimit me ujë.

Ndërkaq, problematik mbetet treguesi i ujit pa të ardhura, pra i ujit që nuk faturohet. Sipas Entit, ky tregues ka pësuar një përmirësim të lehtë me rreth 2%, por ai ende mbetet në nivele shumë të larta apo në 63.4% nga 65% që ishte një vit më parë.

“Për vitin 2018 mesatarisht prodhohet 304 litra ujë në ditë për frymë ndërkohë që faturohet 107 litra”.

Por, sipas Entit edhe “performanca pozitive e këtij treguesi duhet marrë me rezervë sepse llogaritja e tij bëhet në baza vlerësimi dhe jo në matje, për shkak të mungesës në përgjithësi të martesave të ujit në burim”.

Ndërkaq, si pasojë e investimeve në sektor është përmirësuar me 5% niveli i matjes si dhe është shënuar përmirësim me 15% treguesi i mbulimit të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes. Ajo që vlen të theksohet është fakti se këta tregues nuk janë inkurajues, në një kohë që 2018-a ishte edhe viti ku iu kushtua shumë vëmendje reformës në sektorin e ujit.

Sipas Entit Rregullator, në fund të vitit 2018 vlerësohet një përmirësim i lehtë i gjendjes financiare të sektorit, por nuk u arritën pritshmëritë e parashikuara nga reforma, sidomos në drejtim të influencës së uljes së humbjeve nga eliminimi i lidhjeve të paligjshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *