Vendosni fjalën kyçe....

Bora kyç nxënësit në shtëpi, pezullohet mësimi ne 280 shkolla në vend


Është pezulluar mësimi në 280 shkolla në mbarë vend.

Shkak për këtë janë bërë reshjet e dëborës që kanë bllokuar një pjesë të rrugëve, sidomos në zonat e thella të vendit si dhe temperaturat e ulëta që e bëjnë të vështirë ndjekjen e procesit mësimor nga nxënësit.

Njoftimi është bërë nga Ministria e Arsimit nëpërmjet një deklarate zyrtare ku theksohet se në ato shkolla ku është pezulluar mësimi, orët do të plotësohen në ditët në vijim.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nisur nga situata atmosferike në vendin tonë për datën 9 janar 2019, bën me dije se disa Drejtori Arsimore Rajonale kanë marrë vendimin për pezullimin e mësimit në disa shkolla.

 Sipas raportimeve në Ministrinë e Arsimit, për funksionimin e institucioneve arsimore në arsimin parauniversitar, është pezulluar mësimi për sot në 5 drejtori dhe zyra arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë dhe Përmet. Ndërkohë që edhe në disa zyra të tjera arsimore ku disa shkolla ndodhen në zona malore, mësimi nuk është zhvilluar.

Në total janë rreth 280 shkolla kryesore dhe vartëse që nuk kanë nisur procesin mësimor për shkak të kushteve të motit. Ndërkohë që në zonat e tjera të vendit mësimi vijon normalisht. Për ato shkolla ku sot mësimi është pezulluar, zëvendësimi i orëve do të bëhet në ditët në vijim.

 Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është në kontakt të vazhdueshëm me drejtorët e drejtorive arsimore, drejtues shkollash dhe prefektët e qarqeve për monitorimin dhe ndjekjen e situatës në terren.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *