Vendosni fjalën kyçe....

Grupi negociator i Kosovës ftohet më 8 janar në Bruksel


Grupi negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë u mblodh për herë të parë në takim me udhëheqësit më të lartë të shtetit. Në takim u tha se dialogu do të jetë transparent me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Grupi negociator i Kosovës u takua për herë të parë me udhëheqësit më të lartë të shtetit, për të diskutuar sic u tha “hapat e përbashkët të ardhshëm në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë”, dialog ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Takimi ishte thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, ku morën pjesë edhe Presidenti, kryeministri dhe dy bashkëkryesuesit e grupit negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, por jo edhe përfaqësuesit e dy partive opozitare LDK dhe Vetëvendosja.

Para medieve u paraqiten të gjithë pjesëmarrësit në takim, ndërsa, Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i delegacionit, njoftoi se nëdatën tetë janar të vitit të ardhshëm, grupi negociator i Kosovës është ftuar në Bruksel në një takim, ku nuk do të jetë i pranishëm Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ahmeti kritikoi partitë opozitare që nuk dërguan në takim përfaqësuesit e tyre.

“Nëse mendojmë elektoralisht, atëherë duhet lënë politikën, sepse në politikë nuk kemi hyrë për çështje elektorale. Kemi hyrë për këtë shtet. Sikur ta dimë që zero vota fitojmë nesër. Kosova është më mirë dhe duhet të ulemi bashkë. Ata që nuk e marrin përgjegjësinë sot që të ulen bashkë, atëherë le ta bartin përgjegjësinë kur marrëveshja do të mund të jetë më e dobët, se nuk kanë qenë në tavolinë”, kritikoi Shpend Ahmeti, dy partitë opozitare LDK-në dhe Vetëvendosjen.

Në këtë konferencë të përbashkët u tha se gjatë takimit të sotëm, pjesëmarrësit janë zotuar që procesi i dialogut të jetë transparent, ndërsa janë të bindur se rezultati i dialogut është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Synimi është i qartë se pse shkojmë në dialog, për të na njohur Serbia. Që nesër kemi ftuar anëtarët e QUINT-it dhe shefen e BE-së që t’i njoftojmë për këtë proces. Është proces i lirisë, është proces i sovranitetit të territorit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran, është proces që Serbia të njohë Kosovën si shtet dhe të fitojmë ulësen në OKB. I tërë procesi është transparent, do të jetë e plotë edhe përgjegjësia”, tha Kadri Veseli.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nuk është pjesë e ekipit negociator, por, ai tha se “duke qenë më të koordinuar dhe të bashkuar, do të ketë edhe sukses në angazhimet për arritjen e një marrëveshjeje finale Kosovë -Serbi.

“Procesi është i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, por mendoj që edhe Kosova dhe rajoni është ndryshe pas letrës së presidentit Donald Trump, i cili ka kërkuar që t’i marrim përgjegjësitë edhe ne si Kosovë. Jam i bindur që aty ku do të jetë këshilla e SHBA-së do të jetë edhe vendimi i institucioneve të shtetit të Kosovës, që ky proces të përmbyllet në përputhshmëri me aspiratën e Kosovës për NATO dhe BE. Ky unitet është edhe një thirrje për hezituesit e këtij procesi që të bashkëngjiten dhe të marrin përgjegjësi për përmbylljen e këtij procesi final Kosovë-Serbi”, tha Presidenti Thaçi.

E kryeministri, Ramush Haradinaj, që jo rrallë ka pasur përplasje në qëndime me Presidentin Thaçi rreth dialogut, tha se “mirëpret çdo ide dhe sugjerim rreth dialogut Kosovë-Serbi”, por hodhi poshtë çdo mundësi që “në tavolinën e bisedimeve të flitet apo negociohet për shkëmbim të territoreve”. Për këtë të fundit tha se “grupi negociator nuk e ka mbështetjen e tij”.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar ligjin për ekipin negociator, e ka proceduar në Kuvend, ka ndarë mjetet financiare dhe ka hartuar një draft-marrëveshje me shumë kapituj, sesi do të duket në vija të përgjithshme marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë. E pikërisht ky projekt do të duhej të diskutohej sot në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare, (LDK dhe Vetëvendosja ), të cilat e kundërshtojnë platformën e qeverisë për dialog, por, mungesa e kuorumit në parlament bëri që seanca të dështojë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie, akuzoi Kryetarin e Kuvendit për dështimin e mbajtjes së seancës.

“Është obligim kushtetues i kryetarit të Kuvendit që të sigurohet që seanca hapet sipas kërkesës së 40 deputeteve për një çështje të rëndësishme që është një draft marrëveshje gjithëpërfshirëse, që u është dorëzuar partive politike, ambasadorëve të vendeve të QUINT-it BE-së dhe të tjerëve. Deputetët duhet të japin qëndrimet.”

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosja Glauk konjufca, i cili tha se “bojkoti i pozitës shpërfaq strategjinë e kësaj mazhorance”.

“Kemi kërkuar të shqyrtohet ky dokumenti 30 faqesh për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Për ne ka qenë jetike sepse kjo marrëveshje përmban shumë defekte, kemi dashtë përballë kryeministrit dhe ministrave të hapin këtë çështje. Por, tash e disa herë mazhoranca po e aplikon strategjinë e bojkotit. Sot ata e treguan fytyrën e vërtetë’, tha Glauk Konjufca.

Qeveria e Kosovës dhjetë ditë më parë u dërgoi partive politike dhe ambasadave të vendeve të QUINT dhe zyrës së BE-së, një draft marrëveshje për procesin e dialogut me Serbinë. Sipas kryeministrit Haradinaj, “ky dokument adreson çështje nga e kaluara si pensionet, borxhet, dëmet dhe krimet e luftës, por njëkohësisht adreson rrugën përpara, lirinë e lëvizjes dhe të mallrave, gjithmonë duke i respektuar parimet e BE-së”.

Por është pikërisht taksa me 100 për qind rritje, e vendosur nga qeveria e Kosovës për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, ajo që ka bërë që Serbia ta ndërpresë dialogun me Prishtinën, derisa kjo e fundit ta heqë taksën. E qeveria në Prishtinë sipas kryeministit Haradinaj, “nuk e ka ndërmend që ta heqë taksën”, përderisa siç thotë, “Serbia ta ndalë agresionin politik dhe diplomatik ndaj shtetit të Kosovës”. Në dritën e këtyre zhvillime tash për tash nuk dihet nëse do të ndodhë shpejt ndonjë takim i nivelit të lartë Kosovë-Serbi.

Burimi: DW


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *