Vendosni fjalën kyçe....

“Paraja, bankat dhe shoqëria”, historia e sistemit monetar në 3000 vjet


Një enciklopedi e thelluar nga Anastas Angjeli dhe Aristotel Pano

“Paraja, bankat dhe shoqëria”. Është titulli i një udhëtimi historik në sistemet monetare në 3000 vjet, gjatë gjithë zhvillimit të epokave të shoqërisë.

Ky udhëtim, vjen në trajtën e një enciklopedie të vërtetë dhe të thelluar në dorë të kërkuesit shkencor dhe lexuesit të thjeshtë, përmes një libri të veçantë e unik, nga dy prej profesorëve më të shquar të ekonomisë, Prof.Dr Aristotel Pano dhe Akademik Prof.Dr. Anastas Angjeli.

Trajtimi i shtrirë në kohë dhe hapësirë i parasë, sistemeve monetare, autoriteteve ndërkombëtare dhe globale që nga krijimi i tyre e deri tani janë vlera e shtuar në këtë libër, duke i dhënë mundësi lexuesve nga faktet, përshkrimi dhe ndërlidhja e këtyre fenomeneve nga kohët e lashtat e deri tani.

Dy profesorët e ekonomisë, sjellin me një gjuhë të qartë e të kuptueshme për të gjithë, historinë monetare bankare,  duke dhënë kështu një kontribut vërtet të çmuar për ta kuptuar atë më mirë,  jo vetëm nga profesionistët e arkeologjisë, historisë dhe ekonomisë, por edhe për studiuesit e rinj e publikun e gjerë.

Ky libër vjen për lexuesit  si një domosdoshmëri e kërkuar nga zhvillimet dhe ngjarjet ekonomike që e kanë dominuar ekonominë botërore këto 10 vitet e fundit, mbas krizës  financiare globale. Ky udhëtim shtrihet larg nga territoret shqiptare për të ndjekur zhvillimet e sistemeve dhe reformat monetare të perandorive të mëdha, që ka në konsideratë edhe historinë e Shqipërisë.

Në këtë këndvështrim libri bëhet një përshkrues i plotë, jo vetëm i historisë monetare dhe financiare të ekonomisë globale, por edhe asaj shqiptare. Libri ndalet dhe trajton me qartësi momentin e lindjes së parasë.

Ai e vendos paranë, sistemin monetar dhe atë financiar në piedestalin e arritjeve, si një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit. Libri në sajë të përshkrimit kronologjik të ngjarjeve nëpër shekuj na kujton e njëkohësisht na fton të mos harrojmë se çdo sistem përballet me problemet e veta.

Ky studim shumë i vlefshëm dhe tërheqës tregon historinë e gjatë të sistemeve monetare të cilat sigurisht që kanë dhënë ndikim të padiskutueshëm në historinë e disa prej vendeve e kulturave më të rëndësishme të botës dhe sigurisht edhe në atë të vendit tonë, duke dhënë një tablo të plotë e deri më sot të munguar në titujt e studimeve monetare dhe bankare vendase për sa i përket historisë monetare e bankare që ka vepruar në këto troje para krijimit të Shtetit Shqiptar.

Përmes një shpjegimi të hollësishëm të historisë së lindjes së parasë e sistemeve monetare, greke, romake, bizantine, otomane dhe atyre mesjetare evropiane, studimi tregon ku dhe kur ato lindën, u formuan  dhe si u zhvilluan, rolin e tyre në zhvillimin e shoqërisë dhe si ato u përhapën, i mbijetuan krizave apo ndryshuan gjatë viteve.

I mbushur me fakte dhe histori interesante dhe i ilustruar me imazhe të zgjedhura me kujdes, “Paraja, banka dhe shoqëria”, është një burim ndriçues informacioni mbi rolin vendimtar që kanë luajtur sistemet e ndryshme monetare në historinë e Kontinentit Evropian dhe rrjedhimisht edhe në atë të vendit tonë. Ky botim sjell në vëmendjen e lexuesit rëndësinë e madhe që ka njohja dhe kuptimi i historisë monetare e bankare.  

Për të gjitha këto arsye, punimi “Paraja, banka dhe shoqëria”, vjen për lexuesin si një shtjellim i plotë i sistemeve monetare dhe bankare që kanë vepruar apo dhënë ndikim të qenësishëm në historinë e Shqipërisë në etapa të ndryshme historike, nga antikiteti deri në ditët tona.

Llibri është ndërtuar mbi një strukturë të saktë e të logjikshme. Prandaj “udhëtimi” në faqet dhe rreshtat e tij, është sa i veçantë dhe tërheqës, aq dhe interesant, realist i pasur dhe i argumentuar, historik dhe shkencor, informues dhe i dobishëm, me bazë të fortë për fushën, temën dhe çështjet që trajton.

Ai është ndarë në 9 kapituj dhe çdo kapitull në përputhje me përmbajtjen është ndarë në çështjet përkatëse, të cilat ndihmojnë në shtjellimin e trajtimin logjik dhe harmonik historiko shkencor të veprës në tërësi.

Libri “Paraja, banka dhe shoqëria”, siç është cilësuar edhe në nëntitull  “Bashkëudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”, i përmbahet kriterit tematik e kronologjik, duke e dhënë procesin e lindjes, të zhvillimit të sistemit monetar dhe bankar në epoka të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë dhe duke marrë si bazë disa nga vendet më të rëndësishme të botës, duke u mbështetur në studimet e historianëve, të arkeologeve, të numizmateve, vendas dhe te huaj, si dhe të studiuesve të historisë së ekonomisë shqiptare, në veçanti, e të asaj botërore në përgjithësi.

Ky botim veç të tjerash është me vlerë edhe për faktin e thjeshtë se, pasi e lexon dhe njihesh me historinë 3000-vjeçare të parasë e të bankave, të lind natyrshëm mendimi dhe pyetja: po në të ardhmen si do të jetë ecuria e parasë dhe e bankave?.

Pikërisht për këtë, nisur edhe nga zhvillimet e post krizës financiare globale të vitit 2008, në këtë botim hidhet dritë në zhvillimet e reja  monetare, në veçanti për të ashtuquajturat “Criptomonedhat”, çfarë po ndodh dhe çfarë pritet të ndodhë me to, fenomene me shumë interes në kohën e sotme në jetën e tregjeve financiare.