
Gjatë seancës plenare, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, i kërkoi qeverisë shqiptare të reagojë ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Muçi kujtoi se Kosova e ka shpallur ministren serbe non grata, ndërsa kritikoi kryeministrin Edi Rama për mungesën e një reagimi publik.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb? Kosova e ka shpallur non grata ministren. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndirm për një deklaratë të ministres serbe? Ndoshta sepse bashkë me mikun e tij, Vuçiç, i ka zënë i njëjti hall: fakti që rinia i përçmon”, tha Muçi.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj në Kuvend deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, lidhur me akuzat për mungesë reagimi të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç për Kosovën.
Balla tha se reagimi i qeverisë ka qenë i menjëhershëm dhe është bërë përmes Ministrisë së Jashtme, ndërsa akuzoi Muçin se po e trajton me papërgjegjshmëri një çështje kombëtare.
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme.
Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote!
Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë bashkë me ata që ke në kafazin tënd politik. Ky akt është dënuar nga autoritetet politike përfaqësuese.
Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë se është i vetmi kryeministër që nga 1912 që ka ngritur çështjen e Kosovës”, ia ktheu Balla.