
Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, bëri të ditur se deputetët e PD-së në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave i janë drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) me një kërkesë për auditimin e plotë të përdorimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit për financimin e koncertit të Kanye West.
Sipas Bozdos, opozita kërkon të verifikohet ligjshmëria e miratimit dhe zbatimit të aktit normativ, përmes të cilit u akorduan 4.3 milionë euro për një aktivitet privat.
Deputeti demokrat akuzoi qeverinë se fondet e rezervës, të destinuara për përballimin e fatkeqësive natyrore dhe situatave emergjente, u përdorën për një koncert, ndërsa, sipas tij, nuk u financuan nevojat për përmbytjet, zjarret apo emergjenca të tjera.
Bozdo deklaroi se koncerti u përdor nga kryeministri Edi Rama si një mënyrë për të larguar vëmendjen nga protestat qytetare dhe problematikat e vendit.
Ai argumentoi se përdorimi i aktit normativ bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës, i cili parashikon përdorimin e tij vetëm në raste nevoje dhe urgjence, si dhe me Ligjin për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor, që kufizon përdorimin e fondit rezervë për shpenzime të paparashikueshme.
Në kërkesën drejtuar KLSH-së, PD kërkon të sqarohet:
- Kur kanë nisur negociatat për organizimin e koncertit dhe nëse ato kanë filluar përpara miratimit të buxhetit të vitit 2026.
- Nëse ekziston një preventiv i detajuar që justifikon shumën prej 4.3 milionë eurosh.
- Si e argumenton qeveria përdorimin e fondit rezervë për një aktivitet që, sipas opozitës, ka kërkuar planifikim dhe negociata disa mujore.
Bozdo u shpreh se opozita synon të vendosë standarde të transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e fondeve publike, duke i bërë thirrje KLSH-së të zhvillojë një auditim të plotë mbi këtë çështje.