Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në Spanjë/ 12 nga 13 viktimat ishin shtetas të huaj, identifikohen kombësitë



Dymbëdhjetë nga 13 viktimat e zjarrit shkatërrues që përfshiu rajonin e Andaluzisë, në jug të Spanjës, ishin shtetas të huaj, njoftuan autoritetet spanjolle pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore, përcjell Euronews.

Sipas autoriteteve, mes viktimave janë shtatë shtetas britanikë, tre belgë, një francez dhe një amerikan, ndërsa viktima e 13-të është shtetas spanjoll.

Institucioni përgjegjës për identifikimin e viktimave bëri të ditur se të vdekurit janë tetë gra dhe pesë burra, të gjithë të rritur.

Ndërkohë, Qendra e Integruar e të Dhënave (CID) njoftoi se numri i personave të raportuar si të zhdukur ka shkuar në 10, pasi janë depozituar edhe dy kallëzime të reja.

Zjarri shpërtheu të enjten e kaluar në provincën piktoreske të Almerías, në juglindje të Spanjës, një zonë pranë bregdetit mesdhetar ku jetojnë shumë shtetas të huaj.

I favorizuar nga erërat e forta dhe temperaturat ekstreme, zjarri u përhap me shpejtësi në pyje dhe shkurre të thata, duke shkatërruar vendbanime rurale dhe duke i kthyer ato në zona të braktisura.

Shërbimet e emergjencës fillimisht gjetën 12 trupa të karbonizuar, identifikimi i të cilëve u bë përmes analizave të ADN-së.

Sipas hetimeve paraprake, zjarri u shkaktua nga rrëzimi i një kablli elektrik mbi rrugë dhe përfshiu rreth 7 kilometra katrorë sipërfaqe.

Autoritetet bëjnë të ditur se flakët tashmë janë vënë nën kontroll dhe banorët janë lejuar të kthehen në banesat e tyre që prej së dielës.

Vitet e fundit, Spanja është përballur me valë të gjata dhe të shpeshta të të nxehtit, me temperatura që kanë kaluar 40 gradë Celsius, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre pyjore. Sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2025 në Spanjë u dogjën mbi 393 mijë hektarë tokë, niveli më i lartë i regjistruar në historinë e fundit të vendit.