
Partia Demokratike do të mbledhë sot Këshillin Kombëtar, ku pritet të zgjidhen strukturat e reja drejtuese të partisë.
Sipas njoftimit zyrtar të PD-së, mbledhja do të zhvillohet në orën 18:00. Në rendin e ditës janë përfshirë zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve të partisë, anëtarëve të Sekretariatit dhe Komisionit të Apelimit.
Vendimmarrja e Këshillit Kombëtar pritet të përcaktojë ekipin që do të drejtojë Partinë Demokratike në periudhën e ardhshme politike.
Kjo mbledhje vjen pas asaj të 1 korrikut, kur Këshilli Kombëtar zgjodhi kryetarin e këtij organi dhe 20 anëtarët e Kryesisë së PD-së.
Me plotësimin e strukturave drejtuese, demokratët synojnë të konsolidojnë organizimin e partisë dhe ekipin politik që do të shoqërojë kryetarin Sali Berisha në drejtimin e opozitës dhe në përballjet e ardhshme politike.
Në njoftimin drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Partia Demokratike falënderoi mbështetësit për angazhimin e tyre dhe bëri thirrje për bashkëpunim në funksion të organizimit të mëtejshëm të forcës politike.