Vendosni fjalën kyçe....

BSH hoqi licencat për 80 zyra këmbimi valutor, numri i tyre ra për herë të parë në tetë vjet


Numri i zyrave të këmbimit valutor pësoi rënie në 2025, për herë të parë të parë pas tetë vjetësh.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar numri i subjekteve të licencuara për këtë aktivitet zbriti në 592 zyra të këmbimit valutor, nga 642 të tilla që ishte shifra zyrtare e raportuar në fund të vitit 2024. Gjatë një viti, tregu është tkurrur me 50 subjekte ose afërsisht 8%. Gjatë vitit 2025, u dhanë 33 licenca të reja të zyrave të këmbimit valutor, si dhe u revokuan 83 licenca.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se e ka rritur ndjeshëm vëmendjen mbikëqyrëse ndaj zyrave të këmbimit valutor, si një sektor me ekspozim të lartë ndaj parasë fizike dhe me kontakt të drejtpërdrejtë me publikun.

Sipas raportit vjetor të mbikëqyrjes, fokusi i kontrolleve ka qenë jo vetëm te ekzistenca e procedurave të brendshme, por sidomos te zbatimi i tyre në praktikë, përfshirë identifikimin e klientit, monitorimin e transaksioneve, ruajtjen e dokumentacionit dhe raportimin e rasteve të dyshimta.

Në vitin 2025 janë kryer 27 inspektime në vend, kryesisht në funksion të përmbushjes së detyrave mbikëqyrëse dhe sipas rastit edhe në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare. Gjetjet kryesore lidhen me mangësi në zbatimin e vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar, mungesë të sistemeve të centralizuara për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, dobësi në dokumentimin e verifikimeve me listat e sanksioneve, mungesë trajnimesh dhe raportim jo të rregullt të veprimeve valutore pranë Bankës së Shqipërisë.

Për problematikat e konstatuara janë revokuar licencat për 80 zyra të këmbimit valutor, është marrë masa tërheqje vëmendje për një prej tyre dhe janë marrë masa të tjera administrative në 201 raste të tjera.

Këto të dhëna tregojnë se ulja e numrit të zyrave të këmbimit valutor ka ardhur kryesisht si rezultat i masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Në periudhën 2017-2024, numri i zyrave ishte rritur me 50%. Rritja e turizmit, sidomos në periudhën pas pandemisë, pati rritur volumin e këmbimeve valutore dhe rrjedhimisht duket se e nxiti kërkesën për hapjen e më shumë zyrave të këmbimit.

Rregullorja e re forcoi kërkesat dhe kufizoi këmbimet në cash

Përveç forcimit të kontrollit dhe inspektimeve, vitin e kaluar Banka e Shqipërisë miratoi edhe disa ndryshime në rregulloren për “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”.

Ndryshimet kryesore lidhen me rritjen e kapitalit fillestar, dokumentimin e burimit të kapitalit dhe kërkesat për ushtrimin e aktivitetit, me qëllim forcimin e kërkesave rregullatore, që, ndër të tjera, adresojnë edhe hyrjen dhe operimin në treg të subjekteve që plotësojnë kushtet e nevojshme të qëndrueshmërisë financiare, përshtatshmërisë dhe integritetit të strukturave të zotërimit të kapitalit, drejtimit të përgjegjshëm, si dhe zbatimit të kuadrit rregullator.

Rregullorja e re parashikon që kapitali minimal i kërkuar për licencimin e këtyre zyrave do të dyfishohet, nga 2.5 milionë lekë në 5 milionë lekë. Çdo pagesë e kapitalit fillestar minimal, çdo shtesë e mëvonshme e tij si dhe çdo ndryshim në strukturën e kapitalit duhet të shoqërohet me paraqitjen në Bankën e Shqipërisë të informacionit lidhur me burimin e krijimit të këtij kapitali.

Gjithashtu, rregullorja vendos për herë të parë limite mbi veprimet në para fizike të kryera nga zyrat e këmbimit. Subjekti i licencuar, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së këmbimit valutor nuk do të lejohet të mbajë në arkë vlera monetare (cash) mbi baza ditore, më të larta se vlera e kapitalit fillestar minimal. Gjithashtu, zyrat e këmbimit nuk do të lejohen të kryejnë transaksione në para fizike, të cilat tejkalojnë një shumë prej 2.5 milionë lekësh ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, të kryera në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhur me njëri-tjetrin. Transaksionet që tejkalojnë këtë shumë duhet të kryhen nëpërmjet llogarive bankare ose llogarive të pagesave.

Përveç kërkesave të rregullores së mëparshme, rregullorja e re parashikon që në shqyrtimin e kërkesës për licencim të zyrës së këmbimit valutor Banka e Shqipërisë do të  vlerësojë përshtatshmërinë, reputacionin e mirë dhe integritetin e aksionarit/ortakut, pronarit përfitues dhe administratorit të subjektit gjatë momentit të licencimit, si dhe sa herë që ka ndryshime në përbërjen e strukturës së pronësisë dhe organeve drejtuese gjatë ushtrimit të veprimtarisë.

Një aksionar, pronar përfitues apo administrator do të konsiderohet të ketë reputacion të mirë, nëse respekton kuadrin ligjor e rregullator në fuqi, përfshirë ato që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit; nuk ka rekorde kriminale të lidhura me krime financiare, aktivitete të paligjshme ose shkelje të rënda ligjore; ka qëndrueshmëri financiare dhe nuk është i përfshirë në çështje financiare ose ligjore të rëndësishme që mund të dëmtojnë reputacionin ose besueshmërinë dhe nuk është subjekt i hetimeve ose sanksioneve për mosrespektimin e kuadrit ligjor e rregullator të zbatueshëm./ E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor