Ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunović, lidhur me luftën në Kosovë, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe fyese për viktimat.
Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali tha se është e pabesueshme që një ministre e një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian të shprehë keqardhje se në Kosovë “nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar”.
“Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet. Ky nuk është mendim politik. Ky është barbarizëm verbal,” u shpreh Spiropali.
Sipas saj, Evropa nuk mund të heshtë përballë një retorike të tillë, ndërsa theksoi se kush justifikon apo shpreh keqardhje që krimet nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha nuk mund të konsiderohet partner i vlerave evropiane.
“Europa nuk mund ta dëgjojë këtë gjuhë dhe të heshtë. Kush justifikon ose shpreh keqardhje për krime që nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha, nuk mund të jetë partner i vlerave europiane dhe duhet të mbajë përgjegjësi politike, institucionale, por mbi të gjitha humane,” deklaroi ajo.
Spiropali theksoi se liria e Kosovës u fitua me gjak dhe mbrojtja e kujtesës së viktimave është një detyrim moral dhe politik për Evropën.
“Kosovës nuk ia fali kush lirinë. Kosova lirinë e fitoi me gjak. Është në nderin dhe detyrën e Europës të mbrojë kujtesën e viktimave, që përbën themelin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar,” tha ajo.
Në përfundim, ish-ministrja u shpreh se, nëse Serbia e ka seriozisht procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj një retorike të tillë.
“Nëse Serbia rrugën drejt Bashkimit Europian e ka seriozisht, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtij makabriteti verbal që, më së paku, e turpëron, e më së shumti i rrezikon bashkëjetesën paqësore me fqinjët,” përfundoi Spiropali.
