Parlamenti i Hungarisë ka votuar për shkarkimin e presidentit Tamás Sulyok, i konsideruar gjerësisht si një aleat i ish-kryeministrit Viktor Orbán, i cili humbi pushtetin në zgjedhjet e prillit pas 16 vitesh në qeveri.
Partia në pushtet Tisza, e kryeministrit Péter Magyar, përdori shumicën prej dy të tretash për të miratuar amendamentin e 17-të të Kushtetutës, duke i dhënë fund mandatit të Sulyok dhe kreut të Gjykatës Kushtetuese, Péter Polt, përcjell BBC.
Votimi u cilësua si dita më dramatike në Parlament që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re në fillim të majit, pas fitores së thellë të Tisza-s ndaj partisë Fidesz të Viktor Orbán në zgjedhjet e 12 prillit.
Sipas procedurës, Sulyok ka pesë ditë kohë për të firmosur amendamentin ose për ta dërguar atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Kryeministri Magyar ka paralajmëruar se, nëse presidenti zgjedh opsionin e dytë, do të nisë procedurat për shkarkimin e tij, çka do ta pezullonte automatikisht nga detyra
Një tjetër mundësi për Sulyok mbetet dorëheqja, për të shmangur një krizë kushtetuese, siç ka kërkuar vazhdimisht qeveria e re.
Deputetët e Fidesz-it braktisën sallën para votimit, duke akuzuar Tisza-n se po ndërton një regjim autoritar. Sipas opozitës, amendamenti i ri i jep qeverisë kompetenca arbitrare për të shkarkuar menjëherë zyrtarët publikë.
Nga ana tjetër, ish-kandidati për president Péter Rona deklaroi se Fidesz po përballet me të njëjtin model pushteti që kishte ndërtuar vetë gjatë qeverisjes së Viktor Orbánit.
Amendamenti parashikon gjithashtu largimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që kanë mbushur moshën 70 vjeç, si dhe ndalon rikandidimin e deputetëve që kanë shërbyer tre mandate parlamentare, një masë që prek më shumë se gjysmën e deputetëve aktualë të Fidesz-it.
Ish-kreu i Gjykatës Supreme, András Baka, mbështeti shkarkimin e presidentit, duke argumentuar se gjatë viteve të qeverisjes së Fidesz-it institucionet shtetërore u mbushën me njerëz besnikë të partisë, duke e bërë të vështirë çmontimin e sistemit pas humbjes në zgjedhje.
Ndërkohë, ish-kryeministri Viktor Orbán është shfaqur shumë rrallë në publik që prej humbjes së zgjedhjeve. Ai nuk ka marrë vendin e tij në Parlament dhe ditën e votimit ndodhej në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur finalen e Kupës së Botës në futboll. Sipas raportimeve, brenda Fidesz-it po shtohen pakënaqësitë ndaj mungesës së tij në jetën politike.
