
Në seancën plenare, deputetit Erald Kapri pas rikthimit ne parlament pas 20 ditësh përjashtim, iu refuzua kërkesa për interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me çështjet e Rrjollit dhe Zvërnecit.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, argumentoi se këto tema janë trajtuar në seancat e mëparshme dhe nuk përbëjnë më objekt diskutimi. Kapri e cilësoi vendimin si censurë, duke akuzuar ministrin për mosfunksionimin e Policisë së Shtetit dhe duke kërkuar sqarime për ngjarjet në Rrjoll dhe Zvërnec.
“Meqë ju keni folur për Zvërnecin e Rrjollin, s’mund ta pyesim ne ministrin e Brendshëm. Si mund të ndaloni një deputet ë flasë për çështje që është votuar.
Nuk është parlament ky. S’mund të pyesim ne ministrin e Brendshëm, pse, se e paskemi pyetur në seancë të kaluar. Ajo që donim të ngrinim në këtë interpelancë me ministrin e Brendshëm që e kalon kohën duke sulmuar njerëz që merren me protestën, e nuk merret me policinë e shtetit që ka dalë nga shinat. Është rrethuar parlamenti me blinda. Pse, se u trembët nga vezët ju.
Si mundet që deputetët të mos pyesin ministrin e Brendshëm për këtë gjë. Kur ndodhi dhuna në Zvërnec nga bodygardët e oligarkut, disa ditë ministri tha se ia hoqëm licencat.
Ka raportime serioze se këto kompani thjeshtë kanë ndërruar emrin. Kur kërkonim të flisnim në parlament për Rrjollit, kërkonit të na censuronit. Nuk e patë ju dhunën e policisë private në Rrjoll?
Kryeministri ka lëshuar gojën që i quan rininë shqiptare si nazistë, është policia që po sillet si gestapo. Balla janë mbushur koshat e plehrave me portretin tënd”, tha Kapri.