
Përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka shkaktuar lëkundje në tregjet financiare globale, duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës dhe duke ushtruar presion mbi bursat ndërkombëtare, përcjell Euronews.
Çmimi i naftës Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, u rrit me 3.9%, duke arritur në 78.96 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u rrit me 4%, në 74.26 dollarë për fuçi.
Rritja vjen pasi SHBA ndërmori disa valë sulmesh ndaj objektivave iraniane në orët e para të së hënës, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi iranian ndaj një anijeje transporti në Ngushticën e Hormuzit, e cila u përfshi nga flakët dhe la një anëtar të ekuipazhit të zhdukur. Irani reagoi më pas me sulme ndaj objektivave në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme.
Përpara kësaj përshkallëzimi, çmimet e naftës kishin rënë në nivelet e para nisjes së konfliktit, pasi palët kishin arritur një marrëveshje të përkohshme dhe trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit ishte rikthyer.
Ndikimi u ndje menjëherë edhe në tregjet financiare. Kontratat futures të indeksit S&P 500 ranë me 0.4%, ato të Dow Jones me 0.3%, ndërsa Nasdaq humbi 1%.
Në Azi, indeksi japonez Nikkei 225 ra me 1.1%, ndërsa bursa e Koresë së Jugut pësoi një goditje më të fortë, me indeksin Kospi që humbi 5.6%.
Aksionet e prodhuesit të çipave SK Hynix, të cilat kishin shënuar një debutim të fuqishëm në Wall Street, ranë me 10.6% në Seul, ndërsa rivali i tij Samsung Electronics humbi 6.7%.
Ndërkohë, indeksi Hang Seng në Hong Kong u rrit lehtë me 0.1%, ndërsa indeksi Shanghai Composite në Kinë ra me 1.2%. Në Australi, indeksi S&P/ASX 200 shënoi një rënie prej 0.3%.
Analistët theksojnë se, krahas shqetësimeve për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tij në furnizimin global me energji, investitorët po ndjekin me vëmendje edhe sezonin e rezultateve financiare të kompanive amerikane.
Këtë javë pritet publikimi i bilanceve të disa prej bankave më të mëdha në SHBA, përfshirë Bank of America, Citigroup, JPMorgan Chase, Goldman Sachs dhe Wells Fargo, të cilat do të ofrojnë sinjale të rëndësishme për gjendjen e ekonomisë amerikane.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e çmimeve të naftës mund të ushqejë inflacionin global, duke shtuar presionin mbi bankat qendrore për të mbajtur ose rritur normat e interesit, një zhvillim që mund të ngadalësojë rritjen ekonomike dhe të ushtrojë presion mbi tregjet financiare.