Bashkimi Evropian ka rënë dakord të hapë një fazë të re të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, duke shënuar një tjetër hap përpara në procesin e integrimit të dy vendeve.
Ambasadorët e 27 vendeve anëtare miratuan të premten qëndrimin e përbashkët për hapjen e klasterit të gjashtë, i cili mbulon marrëdhëniet e jashtme. Ceremonitë zyrtare për hapjen e këtij grup-kapitulli do të zhvillohen më 14 korrik në Bruksel.
Vendimi vjen pas ndryshimit të qeverisë në Hungari, e cila në fillim të qershorit hoqi veton që për dy vite kishte bllokuar avancimin e Ukrainës në negociatat e anëtarësimit. Kjo bëri të mundur fillimisht hapjen e klasterit të parë, të njohur si “Themeloret”, ndërsa tashmë është zhbllokuar edhe klasteri i gjashtë.
Pas këtij vendimi, Ukrainës dhe Moldavisë u mbeten edhe katër klasterë për t’u hapur, që lidhen me tregun e brendshëm, konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse, axhendën e gjelbër dhe lidhjet e qëndrueshme, si dhe burimet, bujqësinë dhe kohezionin.
Komisioni Evropian vlerëson se të dy vendet janë teknikisht të gatshme për të hapur të gjithë klasterët e mbetur, por ritmi i procesit do të varet nga vendimmarrja politike e shteteve anëtare.
Ukraina kishte kërkuar që të gjithë hapat e nevojshëm të përfundonin përpara pushimeve verore, një objektiv i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe shumica e vendeve anëtare.
Megjithatë, kryeministri hungarez Péter Magyar ka shprehur rezerva për një ritëm kaq të shpejtë, duke argumentuar se një përshpejtim i tillë do të dëmtonte procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat presin prej më shumë kohësh.
Për këtë arsye, katër klasterët e mbetur pritet të shqyrtohen një nga një duke nisur nga muaji shtator.
