
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për mediat pas paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, duke u ndalur edhe te protestat për projektin në Zvërnec dhe zhvillimet e fundit që lidhen me të.
Berisha ka dënuar përdorimin e dhunës ndaj protestuesve, duke e cilësuar ngjarjen si një veprim të papranueshëm dhe duke pretenduar se bëhej fjalë për një rrëmbim të ndodhur në prani të policisë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares Klodiana Lala, ai tha se nuk ka pasur asnjë dokument apo dosje të plotë mbi projektin në fjalë, por se ka ndjekur me interes publikimet dhe debatet që janë bërë rreth tij.
Sipas Berishës, Partia Demokratike mbështet investimet e huaja, ndërsa theksoi se problemet që lindin nga çështjet e pronësisë duhet të trajtohen nga shteti sipas përgjegjësisë ligjore.
Ai u ndal edhe te një ligj i mëparshëm, duke e paraqitur si mekanizëm që, sipas tij, garantonte zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për pronat në rastet e investimeve të huaja të miratuara nga qeveria.
“Kur qeveria miraton një projekt investimi të huaj mbi dokumente shtetërore pronësie, çdo problem që lind më pas, shteti i përgjigjet palës me vlerën e tregut”, u shpreh Berisha, duke shtuar se kjo, sipas tij, kishte shmangur konfliktet gjatë periudhës kur ai ishte në pushtet.
Ai theksoi gjithashtu se PD është pro investimeve të huaja, por njëkohësisht, sipas tij, shumë e ndjeshme ndaj të drejtës së pronësisë.
Berisha përsëriti se gjatë periudhës së qeverisjes së tij nuk ka pasur raste të konfliktit të hapur mes pronarëve dhe investitorëve të huaj, duke e lidhur këtë me funksionimin e ligjit që përmendi gjatë deklaratës së tij.