Vendosni fjalën kyçe....

Omani kundërshton tarifat e Iranit për anijet në Ngushticën e Hormuzit: Liria e lundrimit duhet të respektohet


Omani ka refuzuar propozimin e mbështetur nga Irani për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të garantojë lirinë e lundrimit.

Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, deklaroi se Muscati mbetet i përkushtuar ndaj Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit dhe se nuk mbështet vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë në këtë korridor strategjik, përcjell Ynet.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron bëri të ditur se Franca dhe Omani do të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për pastrimin e minave detare në Ngushticën e Hormuzit, me synim garantimin e kalimit të lirë dhe të sigurt të anijeve.

Në të njëjtën kohë, Katari njoftoi pezullimin e përkohshëm të lundrimit për mjetet e vogla detare, përfshirë varkat turistike, peshkarexhat dhe jet ski-t, si masë parandaluese në koordinim me autoritetet e sigurisë.

Zhvillimet vijnë ndërsa Uashingtoni dhe Teherani vijojnë të japin versione të ndryshme për marrëveshjen e përkohshme të arritur më 17 qershor, e cila synon ndalimin e luftimeve dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se ekipet teknike të SHBA-së dhe Iranit pritet të takohen në Doha gjatë ditëve në vijim për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes dhe uljen e tensioneve në rajon. Megjithatë, zëvendësministri i Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi mohoi se këtë javë janë planifikuar bisedime teknike, duke theksuar se takime të tilla do të zhvillohen vetëm pasi të plotësohen kushtet e vendosura nga Teherani.

Tensionet u rritën sërish pas sulmeve të ndërsjella të ditëve të fundit. Irani goditi me raketa dhe dronë baza ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, ndërsa SHBA-ja kreu sulme ndaj objekteve ushtarake iraniane, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të përkohshëm.