Vendosni fjalën kyçe....

Ëndrra e një nate vere


Nga Auron Tare

I madhi William Shakespir, në kohën e tij të artë, shkroi një komedi kryevepër me titull “Ëndrra e një nate vere”.

Ngjarja zhvillohet në një pyll ku shtojzovallet, mbreti dhe mjeshtrit që përgatitnin një shfaqje ngatërrohen prej një luleje magjike. Mjafton një pikë nga lëngu i saj dhe njerëzit pushojnë së përdoruri arsyen. Për fatin e tyre të mirë, në fund magjia prishet dhe të gjithë festojnë të gëzuar.

Nuk e di pse, por këto ditë, mes zhurmës së madhe të “The Albanian Files”, më është kujtuar shpesh kjo komedi. Ndoshta sepse vite më parë e vumë në skenë në teatrin e Butrintit. Ndoshta sepse mundet që Shakespeare-i, i madh, pa e ditur, në komedinë e tij kishte shkruar edhe një akt për Shqipërinë.

Ashtu si te kjo komedi, edhe te komedia “The Albanian Files”, një lule magjike, gabimisht, krijoi një numër keqkuptimesh, të cilat sollën një tufë situatash komike. Imagjinoni këtë skenë shekspiriane që zhvillohet e gjitha në Butrint.

Një prej shtojzovalleve të Butrintit, me urdhër të Mbretit, i dha gabimisht një mjeshtri (arkitekti), në qytetin e largët prej akulli, të quajtur Londër, të nuhaste lulen magjike. Mjeshtri mjekërgjatë, me një kapele në kokë, i trullosur nga magjia, fillon dhe projekton një qytet të tërë në Butrint. Mjeshtri vendos shtëpi kubike prej betoni, ujëvara, hauze me ujë, pallate e kështu me radhë. Mjeshtri punon i trullosur nga lulja magjike, pa e ditur se kush e dha këtë urdhër. Ai thjesht ngre qytetin e tij me ngadalë dhe, sapo nuhati lulen, pylli i Butrintit iu duk një vend bosh që priste të mbushej prej qytetit të tij.

Dhe Mjeshtri nisi të vizatonte.

Jo një shtëpi.

As një hotel.

Por një qytet.

Një qytet të tërë, pranë teatrit antik, sikur tre mijë vjet histori të mos ishin veç një parathënie e vizatimit të tij.

Ndërkaq, Mbreti, i cili kishte një virtyt të rrallë besonte më shumë Mjeshtrit e largët sesa çdo urtësi që lindte pranë tij, me shkopin e gjatë në dorë urdhëroi një shtojzovalle tjetër, flokëflori, t’ia afronte lulen magjike një cjapi me brirë argjendi, të quajtur Nasuf.

Cjapi Nasuf, i cili kulloste në vathën mbretërore, sapo nuhati lulen magjike, u bë menjëherë Profet. I prekur nga nektari magjepsës, ai vrapoi në një lëndinë të gjelbër plot me kukulla dhe keca që blegerinin. Cjapi Nasuf u flet për qytetin që mjeshtri mjekërgjatë donte të ndërtonte në zemër të Butrintit. Kecat e vegjël, të trallisur nga magjia, ngrenë putrën e vogël plot gaz, duke ndjekur Cjapin Nasuf. Të gjithë bashkë, në gjunjë, i kërkojnë Mbretit që një pjesë të pyllit të tyre, plot xixëllonja dhe zogj, t’ia jepnin mjeshtrit mjekërgjatë, i cili kërkon të ngrejë qytetin e tij magjik. Mbreti, me një përkulje të lehtë të kokës, jep shenjën dhe kllounët e oborrit, plot gaz dhe hare, japin pëlqimin që mjeshtri nga vendet prej akulli ta merrte pyllin. Jo pak, por 800 hektarë për të ndërtuar qytetin magjik.

Dhe, fap-fap, u mblodh oborri.

E kllounët borive u ranë.

Trumpetat ushtuan në pyll.

Ta gëzosh! me një zë Mjeshtrit i thanë.

E shtojzovallet e shkreta mbetën të heshtura.

Ato e dinin se në komedinë e Shakespirit magjia zgjaste vetëm një natë vere.

Kur magjia u tret, zanat nuk gjetën më pyll. Xixëllonjat kishin ikur. Krojet heshtnin. Në vend të lisave ngrihej qyteti i Mjeshtrit.

Zanat dhe flockat e liqenit, pa pyllin me xixëllonja, pa korijet e preferuara, pa krojet dhe pa magjinë e natyrës, filluan të qanin.

Ashtu si te “Ëndrra e një nate vere”, magjia mbaroi, por askush nuk ishte më i lumtur në qytetin antik. Pylli nuk ishte më dhe, në vend të tij, një qytet prej betoni kishte hedhur shtat.

Një qytet për të cilin, ndoshta, një Shakespeare i ardhshëm do të shkruajë një tragjedi me titull:

“Këtu dikur ishte një pyll.”