Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon Iranin: Mund ta përfundojmë ushtarakisht punën, regjimi nuk do të ekzistojë më


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, pasi tensionet mes dy vendeve u rindezën pas sulmeve të reja në Ngushticën e Hormuzit, duke akuzuar Teheranin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump njoftoi se forcat amerikane goditën depo raketash dhe dronësh, si edhe radarë bregdetarë iranianë, si përgjigje ndaj, sipas tij, shkeljeve të përsëritura të armëpushimit.

“Avionët e Shteteve të Bashkuara sapo goditën objektet iraniane të raketave, dronëve dhe radarëve bregdetarë për shkak të shkeljes sërish të armëpushimit. Është e mundur që ata të mos mësojnë kurrë. Mund të vijë një moment kur nuk do të mund të tregojmë më përmbajtje dhe do të detyrohemi ta përfundojmë ushtarakisht punën që e nisëm me sukses. Nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më,” shkroi Trump.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) konfirmoi se sulmet u kryen pasi një cisternë me flamur panamez u godit nga një dron iranian në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas ushtrisë amerikane, objektivat përfshinin sisteme mbikëqyrjeje, komunikimi, mbrojtjeje ajrore, depo dronësh dhe infrastrukturë për vendosjen e minave detare.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Iranit i dënoi sulmet amerikane, duke i cilësuar si shkelje të marrëveshjes së përkohshme të paqes dhe duke akuzuar Uashingtonin se nuk respekton angazhimet e tij ndërkombëtare.

“Këto sulme brutale tregojnë se Shtetet e Bashkuara nuk i japin asnjë vlerë besueshmërisë së marrëveshjeve dhe thyerja e premtimeve është pjesë e natyrës së tyre,” thuhet në deklaratën e Teheranit.

Sipas CENTCOM, operacioni amerikan ishte një përgjigje direkte ndaj agresionit të vazhdueshëm iranian kundër anijeve tregtare që lundrojnë në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi se bazat amerikane në rajon do të përballen me “ferr” në ditët në vijim.

Pavarësisht përshkallëzimit të ri, një zyrtar amerikan deklaroi se deri tani nuk raportohet për viktima apo dëme në bazat ushtarake amerikane në rajon, ndërsa situata mbetet në zhvillim.