Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi masiv rus ndaj Ukrainës lë 11 të vrarë, përfshihet nga flakët katedralja historike e Kievit


Të paktën 11 persona kanë humbur jetën si pasojë e një vale sulmesh ruse në Ukrainë, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa qytete dhe kanë përfshirë nga flakët një prej monumenteve më të rëndësishme fetare dhe kulturore të vendit, Katedralen e Fjetjes së Hyjlindëses (Dormition Cathedral) në Kiev.

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, katër persona u vranë në kryeqytet, ndërsa pesë punonjës të shërbimeve të emergjencës humbën jetën gjatë përpjekjeve për të shuar një zjarr të shkaktuar nga një sulm në qytetin verilindor të Kharkivit, përcjell BBC.

Katedralja e shekullit të XI-të, pjesë e kompleksit historik Kiev-Pechersk Lavra, i mbrojtur nga UNESCO, pësoi dëme të konsiderueshme. Zelensky e cilësoi sulmin si “një nga krimet më të mëdha ruse kundër kulturës së krishterë sot”.

Nga ana tjetër, Rusia mohoi se kishte goditur objektin fetar.

Sulmet me raketa dhe dronë shkaktuan zjarre në ndërtesa dhe automjete, ndërsa mbi 140 mijë banorë të Kievit mbetën pa energji elektrike. Autoritetet raportuan gjithashtu 23 të plagosur në kryeqytet dhe pesë të tjerë në Kharkiv.

Sipas Zelenskyt, Rusia lëshoi gjatë natës 70 raketa dhe 611 dronë kundër Ukrainës.

Ai i bëri thirrje vendeve të G7-s që të rrisin presionin ndaj Moskës dhe të shtojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën, veçanërisht sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketat antibalistike.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron dënoi sulmin ndaj kompleksit historik, duke deklaruar se “asgjë nuk e justifikon këtë sulm ndaj trashëgimisë sonë universale”.

Ndërkohë, autoritetet ruse raportuan se një sulm ukrainas me dron në qytetin Tula shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, mes tyre edhe një fëmije njëvjeçar.

Sulmet vijnë në prag të samitit të G7-s në Francë, ku lufta në Ukrainë pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit.