Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence lidhur me projektin e investimit në Zvërnec, duke kërkuar publikimin e detajeve mbi pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përmbajtjen e projektit.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha tha se debati për Zvërnecin tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi informacionin e bërë publik deri më tani.
“Siç e shihni është bërë botërore. Si ka mundësi që asnjë deputet, asnjë qytetar i Vlorës apo i Shqipërisë, nuk dinë absolutisht asgjë për këtë investim disa miliardësh?” u shpreh ai.
Sipas kreut të opozitës, qeveria nuk mund të japë miratime për zhvillimin e një projekti të tillë pa sqaruar më parë çështjen e pronësisë në territorin ku do të ndërhyhet.
Berisha hodhi akuza edhe ndaj drejtuesve vendorë, duke pretenduar se ka pasur abuzime me pronat në zonë.
“Kur një qeveri pranon një projekt ide të një investitori të huaj, nuk mund të japë kurrë leje zhvillimi pa sqaruar pronësinë në çdo metër katror,” deklaroi ai.
Kryedemokrati kërkoi publikimin e studimeve mjedisore dhe të dokumentacionit teknik që lidhet me projektin.
“A ka një zotim? A keni parë ju ndonjë studim të mjedisit? Zero keni parë. Keni parë ju një direktivë se çfarë do të ndërtohet aty? Me çfarë materiali do të ndërtohet? Çfarë habitati do të preket? Si do të kompensohet ky habitat?” tha Berisha.
Ai argumentoi se çdo ndërhyrje në një zonë të mbrojtur duhet të jetë në përputhje me standardet dhe direktivat europiane për mbrojtjen e natyrës.
“Nëse nuk lejohet nga direktiva ‘Natyra 2000’, absolutisht do t’i vini drynat Brukselit, sepse nuk pranohesh. Pasuria natyrore e një vendi është pasuri e gjithë Europës,” deklaroi ai.
Berisha u ndal edhe te shqetësimet e banorëve të zonës, duke thënë se ata ndihen të përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes.
“Aty janë edhe disa fshatarë që i kanë mbjellë rrënjë për rrënjë ato ullinj, që kanë kockat e të parëve aty. Ata u gdhinë me tela me gjemba,” u shpreh kreu i PD-së.
Në përfundim, ai i bëri thirrje qeverisë të rrisë transparencën dhe të ndalojë, sipas tij, organizimin e kundërmanifestimeve përballë protestave të qytetarëve.
“Pse kjo mungesë totale transparence? Nga mos të revoltohen qytetarët? Dhe ndaloni menjëherë kundër-mitingjet, sepse do të keni pasojat,” deklaroi Berisha.
