Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ka nisur hetimi për procedurat e ndjekura ndaj autorit


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë të ditur se është urdhëruar nisja e një hetimi të brendshëm për të verifikuar procedurat e ndjekura nga strukturat policore në lidhje me shtetasin Violand Braçellari, autori i dyshuar i vrasjes së efektivit të policisë Novruz Mekolli në Maliq.

Në një konferencë për shtyp të zhvilluar së bashku me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, Hita deklaroi se nuk kishte pasur dijeni paraprake për operacionin policor që përfundoi me vrasjen e efektivit dhe plagosjen e një kolegu të tij.

“Nuk kam pasur dijeni për operacionin. Kam urdhëruar drejtorinë për të nisur hetim për procedurat standarde që janë ndjekur për hetimin e këtij shtetasi në kërkim,” u shpreh Hita.

Drejtori i Policisë konfirmoi se grupi operacional i përfshirë në aksion ishte i pajisur me jelekë antiplumb, por theksoi se arma e përdorur nga autori kishte fuqi depërtuese të lartë.

“Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori ka përshkuar tejpërtej edhe antiplumbin,” deklaroi ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një operacioni për kapjen e Braçellarit, i cili ishte shpallur në kërkim. Sipas të dhënave paraprake, autori ka hapur zjarr me armë automatike ndaj forcave të policisë nga një stan ku fshihej, duke lënë të vrarë efektivin Enea Mekolli dhe duke plagosur një tjetër punonjës policie.